Ukshin Hoti është në mesin e mbi 1.600 personave të pagjetur. Djali i tij, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Andin Hoti në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve thotë se fati i këtyre personave, në mesin e tyre edhe babi i tij, duhet të jetë kusht për bisedimet me Serbinë.
“Nuk mund të ketë normalizim të raporteve pa përmbylljen e këtij kapitulli të dhembjes kombëtare”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Tutje ai thekson se moskrijimi i institucioneve edhe pas tre muajve nga zgjedhjet parlamentare po e dëmton vendin dhe po e shton dhimbjen te familjet e të pagjeturve.
Ai kërkon nga këto familje që të vazhdojnë të mbahen të fortë.
Ky është shkrimi i tij i plotë në Facebook:
DITA NDËRKOMBËTARE E TË ZHDUKURVE
Republika e Kosovës vazhdon të vuajë nga plaga e të pagjeturve.
18 vjet pas Luftës, ende na mungojnë 1655 nga më të dashurit tanë, në mesin e të cilëve edhe babai im.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, ritheksoj kërkesën që fati i këtyre personave të jetë kusht në bisedimet me Serbinë. Nuk mund të ketë normalizim të raporteve pa përmbylljen e këtij kapitulli të dhembjes kombëtare.
Moskrijimi i Institucioneve prej gati tre muaj nga Zgjedhjet, po vazhdon ta dëmtojë vendin dhe po e shton dhembjen tonë si familjarë të të pagjeturve.
Prandaj, si njëri nga deputetët e Kuvendit, si Zëri i brezit të ri që beson në Kosovën Evropiane, u bëj thirrje Liderëve të Partive Politike që t’i lënë anash inatet, të respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe dispozitat e Kushtetutës, e t’i japin zgjidhje bllokadës.
Duke bashkëndjerë me familjarët e të pagjeturve, kërkoj prej tyre sot që të vazhdojnë të mbahen të fortë dhe ta mundin dhembjen me krenari.
S’duhet dhe s’do të ndalemi së kërkuari më të dashurit tanë.