O shqiptar! O shqiptar! dëgjova një zë mashkulli me një ton të lartë, që po me thërriste në hollin e ndërtesës së Gjykatës Speciale në Hagë. Nuk kishte as një javë që i isha bashkuar ekipit mbrojtës të Presidentit Thaçi, pasi isha larguar nga misioni diplomatik në Hagë. Kisha shkuar t’i kryeja disa obligime administrative, siç janë sigurimi i kartelës për qasje në gjykatë. Isha i hutuar, sepse nuk e dija se kush mund të ishte ky njeri, mendja më thoshte se ky mund të jetë vetëm një shqiptar, me një theks tipik nga Kosova. Ktheva kokën dhe pranë meje u shfaq një figurë tjetër, nga ajo që paramendoja: ishte amerikani Andrew Strong, të cilin e kisha takuar shumë vite më parë në Kosovë, tani avokat i Kadri Veselit. “Qysh je, çka po bon?”, më pyeti në shqip, duke më përshëndetur ngrohtësisht. Me dëshiroi mirëseardhje dhe me tha se do të bëhemi miq të ngushtë, se me sa duket, ky proces do të zgjas.
E pyeta se prej nga ky theks kaq i mirë sepse mendova se je shqiptar, ma shpjegoi se kishte kaluar gjatë kohë në Kosovë, sidomos me Ramushin dhe Dautin, për të cilët fliste me respekt. Andrew do t’i bashkohej ekipit mbrojtës të Ramush Haradinajt në Hagë, për të dalë fitimtar në fund.
Mu kujtua qe Andrew e kisha takuar shumë vite më parë në Kosovë, pas luftës. Ai ishte student i profesorit Henry H. Perritt, nga fakulteti juridik i Universitetit Chicago-Kent. Profesori Perritt e donte aq shumë Kosovën, saqë asaj ia kushtoi dy libra: librin për gjenezën, rritjen dhe fitoren e UÇK-së si dhe librin tjetër për procesin drejt pavarësisë së Kosovës.
Libri i tij për UÇK-në, Kosovo Liberation Army: The Inside Story of an Insurgency, u bë, më vonë, literaturë obligative e ekipeve mbrojtëse të krerëve të UÇK-së në Hagë. Profesori Perritt, sa herë vinte për të bërë hulumtime për librin, i merrte me vete edhe tre-katër studentë. Andrew ishte njëri nga ta.
Profesorit Perritt i kisha ndihmuar rreth librit, për hulumtime dhe gjetje të personave për intervistim. Në fund, ai, pa e ditur unë, do të më intervistonte edhe mua, dhe do të më përfshinte në libër. Ai përlotej saherë që dëgjonte rrëfimet për vuajtet e përjetuara të shqiptarëve. Të njëjtën dashuri dhe dhimbje për Kosovën, ai e kishte mbartur tek studentët e tij, sidomos tek Andrew.
Edhe pse në ekipe të veçanta, me Andrew u bëmë kolegë, miq të ngushtë, dhe fqinj në Hagë. Për të, ta mbronte Kadri Veselin nuk ishte vetëm një punë tjetër avokati, ishte mision personal. Ai besonte thellësisht në pafajësinë e Kadri Veselit dhe të gjithë të akuzuarve tjerë. Ishte aq i përkushtuar, aq metodik dhe aq i përpikët saqë në një çast i thashë: “Andrew, ti nuk je vetëm avokat, ti je një nga ne, je kosovar”. Atij i erdhi aq mirë, duke thënë se ky ishte komplimenti më i mirë që e kishte marrë ndonjëherë. Ai me të drejtë e arsyeton titullin “Avokat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, i vënë dje nga bashkëpunëtori i afërt dhe miku i tij në ekipin mbrojtës të Kadri Veselit, Avni Bytyçi.
Zemra e tij e pastër dhe fisnike pushoi së rrahuri dje, por kujtimi për të do të vazhdojë të jetojë në ne, dhe me ne, sa të jemi gjallë. Beteja në Hagë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e trasuar nga ai, do të vazhdojë deri në fitore!
Pusho i qetë Andrew Strong, Avokat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!