Marrëveshja për bashkëqeverisje, e arritur sot në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duhet të marrë edhe miratimin e organeve të këtyre dy partive.
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë e ka votuar në mënyrë unanime marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, që u nënshkrua në orët e mëngjesit të sotëm.
Ndërsa, mbi 30 mijë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë ditës sotme përmes referendumit do të deklarohen për marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Telegrafi.
I gjithë procesi ka filluar në mesditën e së dielës ku secili anëtar i VV-së do të votojë në pikat e partisë në çdo komunë të Kosovës.
Ky është një veprim i cili është paraparë në statutin e Lëvizjes Vetëvendosje, që për secilën marrëveshje të nivelit nacional dhe të rëndësishëm të pyeten secili anëtar i partisë.
Pas shumë përpjekjeve sot u nënshkrua marrëveshja për koalicionin qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së. Derisa nesër në seancën plenare pritët të votohet qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.