Anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Saranda Bogujevci – kryesuese, Arben Gashi dhe Enis Kervan – anëtarë, si dhe Ariana Musliu dhe Besnik Tahiri – zëvendësues, zhvilluan një takim të përbashkët me Theodora Bakoyannnis, raportuese për Kosovën në APKE, e cila ishte e shoqëruar edhe nga Frank Power – shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë dhe Sonia Sirtori, sekretare e Komitetit për Politikë dhe Demokraci të APKE-së.
Bëhet e ditur se ata e njoftuan Bakoyannis-in për të arriturat që Kosova ka bërë në aspektin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, shtylla bazë të parimeve dhe vlerave të Këshillit të Evropës, që mund të jetë edhe shembull jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë.
Ndërkaq Bakoyannis tha që është e befasuar me ndryshimet pozitive që Kosova ka bërë që nga vizita e saj e fundit në Kosovë para më shumë së dhjetë vjetësh dhe se pret që edhe më tutje të vazhdohet me këtë ritëm, në mënyrë që Kosova sa më parë t’i bashkohet Këshillit të Evropës dhe që Kosova dhe qytetarët e saj të përfitojnë nga mekanizmat e kësaj organizate, siç është e drejta e qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në komunikatë për shtyp të Kuvendit tutje theksohet se vizita e Bakonyanis në Kosovë shënon edhe një hap para drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kjo vizitë fakt-mbledhëse i paraprin edhe vizitës së dy raportuesve të tjerë nga dy komitetet e APKE-së, znj. Azadeh Rojhan nga Komiteti për Çështje Ligjore dhe Drejtat të Njeriut dhe znj. Beatrice Fresko-Rolfo nga Komiteti për Barazi dhe Mosdiskriminim, të cilët do të qëndrojnë në Kosovë në fillim të muajt dhjetor të këtij viti. Znj. Bakonyannis është raportuese kryesore për përgatitjen e opinionit konsultativ për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në kumtesë.