E plotësuar: Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shpend Maxhuni, për dy orë rresh ka raportuar në Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetarja e komisionit Ganimete Musliu para gazetarëve, tha se nuk e kanë pyetur Maxhunin për shoqërimin e presidentit Hashim Thaçi gjatë vizitës në liqenin e Ujmanit.
Musliu tha se nuk e kanë pa të arsyeshme që shefi i institucionit më të lartë të sigurisë në vend të pyetet për këtë çështje.
“Besoj që nuk ka diçka shkelje ligjore, sa i përket pjesëmarrjes së drejtorit aty. Kështu që nuk i kemi bërë pyetje sepse nuk e kemi pa që ka pas ndonjë shkelje aty”.
Musliu, shtoi se me shefin e AKI-së, kanë diskutuar për pozitën dhe kompetencat e tij. Ajo tha se Maxhuni i ka njoftuar se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile.
“Ai ka marrë detyrën si drejtor, kemi pas zhvillime brenda AKI dhe në Kosovë. Deputetët kanë bë pyetje që hyjnë në shërbim në përvojën e rregullit demokratik”.
“Gjendja e sigurisë është e qetë, nuk duhet të brengosën për sigurinë në vend, akterët janë në gjendje sigurie të përgjigjen çdo provokimi”.
Ajo ka shtuar se rasti i vrasjes në AKI është i rëndë dhe se me të po merret Prokuroria dhe se ka kërkuar që të zbardhet sa më shpejtë. Musliu ka kërkuar disiplinë dhe përgjegjësi në AKI, raporton EO.
“Rasti i vrasjes, rast i rëndë tragjik me përmasa shqetësuese për opinionin, tashmë me rastin merret prokuroria, do të kemi një epilog. Nuk jemi të interesuar ta dëmtojmë këtë proces po të zbardhet më shpejtë”.
“Ne kemi kërkuar përgjegjësi, disiplinë rregull brenda institucionit, zero tolerancë sa i përket rasteve të tilla, sepse AKI është institucion më i lartë i sigurisë, kemi kërkuar të ketë kujdes të shtuar që si rasti i fundit mos të përsëritët, kemi raste edhe në vendet e tjera”.
Musliu deklaroi se në raportimin orësh të Maxhunit, nuk e kanë diskutuar rekomandimin e komisionit për shkarkimin e inspektorit Shkelzen Sopjani.
“Nuk jemi marrë me rastin e inspektorit, kompetencat e drejtorit dhe inspektorit janë të ndara nuk i kemi rekomandua drejtorit”.
Shefi i AKI-së raporton në Komisionin parlamentar
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shpend Maxhuni, ka nisur raportimin para Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, i cili si zakonisht mbahet me dyer të mbyllura, raporton Ekonomia Online.
Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, derisa pas përfundimit të tij pritet që nënkryetarja e komisionit Ganimete Musliu të deklarohet para gazetarëve.