Anëtari i VV-së i reagon Hazirit: Albin Kurti me 6 tetor u zgjodh kryeministër

Prishtinë | 03 Nën 2019 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i VV-së nga Shqipëria Boiken Abazi, i ka reaguar ashpër nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri rreth deklaratave të këtij të fundit se kryeministri i vendit kalon nga zyrat e LDK-së.

Abazi thotë se arsyeja pse LDK është marrë në konsideratë për formimin e qeverisë është integriteti i Lëvizjes për të mos bërë koalicion me partitë që qeverisën në mandatin e fundit, nisur dhe nga bashkëpunimi mes Lëvizjes dhe LDK-së në opozitë.

Abazi thekson se Lutfi Haziri nuk bën të mburret pasi LVV ka vendosur ta bashkëpunojë me LDK për të mirën e qytetarë që zgjodhën me 6 tetor Albin Kurtin kryeministër të vendit.

Postimi i plotë:

Para zgjedhjeve LDK thoshte se ishte partia më e madhe në Kosovë, edhe pse Lëvizja kishte fituar më shumë mandate në vitin 2017. Pas zgjedhjeve, ku sërish Lëvizja doli fituese, thanë se jemi të barabartë. Të barabartë jemi vetëm përball një standardi matës. Por, me cilindo standard (sasior apo cilësor) që ta masësh (vota apo integritet), rezultati nuk del barazim, pasi Lëvizja qëndron më lart.

Nga ana tjetër, arsyeja pse LDK është marrë në konsideratë për formimin e qeverisë është integriteti i Lëvizjes për të mos bërë koalicion me partitë që qeverisën në mandatin e fundit, nisur dhe nga bashkëpunimi mes Lëvizjes dhe LDK-së në opozitë. Pra, LDK është në konsideratë për qeverisje sepse Lëvizja ka vendosur ta marrë në konsideratë për të mirën e vendit. Lufti Haziri nuk bën mirë të mburret e ta keqpërdor faktin që Lëvizja ka vendosur ta marrë partinë e tij në konsideratë. Kjo konsideratë, megjithatë, nuk ka për të qenë asnjëherë më e lartë se konsiderata e Lëvizjes për qytetarët e Kosovës që me votën e tyre e kanë vendosur më 6 tetor Albin Kurtin kryeministër të vendit, pavarësisht konsideratave që kishin për veten dhe partitë e tyre politikanë të tjerë.

Të ngjashme