Aktorja dhe humanistja Angelina Jolie mori pjesë në seancën e OKB-së ku merrnin pjesë një numër ekspertësh për ndërtimin e paqes dhe sigurisë
Fituesja e çmimit Oscar, aktorja hollywoodiane dhe ambasadorja e vullnetit të mirë të UNHCR-së Angelina Jolie, u ka bërë thirrje qeverive në botë të mbrojnë civilët në vendet e përfshira nga lufta.
Aktorja dhe humanistja Angelina Jolie morri pjesë në seancën e OKB-së në New York. Në takim, ku merrnin pjesë një numër ekspertësh për ndërtimin e paqes dhe sigurisë, u diskutua për mënyrat e ruajtjes së paqes në botë.
Ajo tha se më shumë se gjysma e viktimave në konflikte të armatosura janë gra dhe fëmijë.
“Përgjegjësia primare e qeverisë është mbrojtja e civilëve”, ka thënë Jolie. Ajo rikujtoi se 18 vite më parë filloi të punojë me UNHCR-në dhe se atë kohë në botë kishte më pak se 20 milionë refugjatë dhe persona të zhvendosur. Ndërsa sot, tha Jolie, ky numër tejkalon 65 milionë njerëz.
Ajo ngriti alarmin se nga dita në ditë rritet numri i konflikteve dhe refugjatëve. Jolie paralajmëroi se vendet ku ndodhen misionet paqeruajtëse të OKB-së shpesh nuk munden ose nuk duan t’i mbrojnë civilët.
Jolie potencoi se më shumë se gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë dhe se gratë në të shumtën e rasteve janë viktima të përdhunimit dhe abuzimit seksual.
“Përkundër dhunës ndaj grave, heshtja është alarmante. Madje, edhe nëse vërehet një përparim qeveritë duhet të ndërmarrin hapa të reja”, porosit Jolie.