Angelina Jolie në ballinën e TIME France shfaq shenjat që ka nga operimi i gjinjve

Prishtinë | 16 Dhj 2025 | 20:57 | Nga Ekonomia Online

Aktorja e njohur, Angelina Jolie, në fotosesion për versionin francez të revistës TIME, ka shfaqur hapur shenjat që i ka në gjoks nga operimi i gjinjve.

50 vjeçja, në vitin 2013 i është nënshtruar operimit të gjinjve, si mënyrë parandaluese për kancerin e gjirit, pasi pati mësuar se bartte gjenin BRVA1, i cili rrit shanset për kancer në gji dhe në vezore.

Ajo ka thënë se ndihet e prekur kur sheh shenjat e operimeve te gratë e tjera prandaj donte të rriste vetëdijen duke i shfaqur edhe të vetat.


“Këto shenja i ndaj me shumë gra të tjera që i dua. Dhe gjithnjë ndihem e prekur kur i shoh se si i shfaqin. Doja t’u bashkohesha, duke e ditur se TIME France do të ndante informacion në lidhje me shëndetin e gjinjve, parandalimin e rreziqeve dhe vetëdijesim rreth kancerit të gjirit”, ka thënë ylli.

Aktorja e filmit “Maria” që në vitin 2015 pati treguar se ka hequr disa organe të riprodhimit, përfshirët vezoret, në mënyrë që të ulte shanset për kancer në vezore, ka thënë se beson që bërja e analizave për gjenin BRCA1 do të duhej të bëhej si rekomandim rutinë për gratë.

Ajo gjithashtu ka thënë se beson që analiza më të thella do të duhej të ju ofroheshin grave që bartin këtë gjen.

“Çdo grua do të duhej të zgjidhte se si duhet kujdesur për shëndetin e vetes dhe të ketë informacion në mënyrë që të bëj zgjedhjen e duhur duke u bazuar në të dhëna si historia gjenetike dhe të tjerë faktorë rreziku”, ka thënë Jolie.

Filmi i saj i radhës është “Coutures”, nga regjisorja Alice Winocourp, ku luan rolin e një regjisoreje të diagnostikuar me kancer në gji, dhe ka pranuar se kjo histori i është dukur “shumë personale” e ngjashme me të veten, pasi edhe nëna, Marcheline Bertrand, i vdiq nga kanceri në vitin 2007.

“Është histori shumë personale për mua. Menjëherë e kam ndier në lidhje të thellë me Maxine Walkerin, rolin e të cilës e luaj në film. Gjithmonë e kam admiruar punën e Alices, është regjisore shumë e mirë, dhe qasja që ka ndaj sëmundjes është unike”, ka thënë Jolie.

Ajo tutje ka thënë se shumica e filmave që bëhen për vuajtjet e grave, sidomos për kancerin, kanë të bëjnë me mbarimin, e rrallë herë shfaqet jeta.

“Alice e ka bërë filmin për jetën, dhe kjo është pikërisht arsyeja pse kjo temë kaq e ndjeshme adresohet me kaq shumë delikatesë. Vështirësitë, sëmundjet dhe dhimbjet janë pjesë e ekzistencës tonë, por ajo që ka rëndësi është mënyra së si përballemi me to”, ka thënë aktorja.

Të ngjashme