Anglia dhe Uellsi i kanë regjistruar 414 viktima të koronavirusit gjatë 24 orëve të kaluara, duke e çuar në 27,594 numrin e përgjithshëm të të vdekurve, rreth 600 më pak se numri i viktimave në Itali.
Organet shëndetësore në Angli i konfirmuan 370 viktima të reja që vdiqën në spitale, por shifrat për rastet jashtë spitaleve ende nuk janë publikuar.
Pacientët e vdekur ishin nga mosha 38 deri në 100-vjeçare dhe 25 prej tyre nuk kishin probleme të tjera shëndetësore, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Uellsi i regjistroi 44 vdekje nga koronavirusi gjatë 24 orëve të kaluara, ndërsa Skocia dhe Irlanda Veriore ende nuk i kanë publikuar të dhënat për sot.
Ministrat britanikë më në fund i janë dorëzuar presionit për t’i përfshirë në shifrat zyrtare edhe njerëzit që vdesin jashtë spitaleve. Pritet që ky vendim të ndikojë në rritjen e konsiderueshme të numrit ditor të viktimave.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha të premten se vendi e ka kaluar kulmin e pandemisë dhe se ditët më të rënda tashmë janë lënë prapa.