Me gjithë mungesat e rëndësishme për ndeshjet e shtatorit, përfaqësuesja e Kosovës në futboll është në një moment të mirë të saj. Është në pikën kulmore që e ka pasur deri më tani. Kosova po e synon kualifikimin në “Euro 2020”, në njërën nga dy rrugët që i ka të hapura, ndërsa ndeshjet me Çekinë dhe Anglinë janë shumë të rëndësishme sa u takon eliminatoreve të rregullta.
Çekia vjen në Prishtinë për të luajtur më 7 shtator ndaj Kosovës, pas dy fitoreve të mëdha që i arriti në qershor, ndaj Bullgarisë (2:1) dhe ndaj Malit të Zi (3:0), shkruan sot Koha Ditore.
Pas asaj ndeshjeje, të përzgjedhurit e Bernard Challandesit do të marrin rrugë për në Angli. Ndeshja Angli – Kosovë luhet më 10 shtator në Southampton. Anglia më 7 shtator e pret Bullgarinë në Wembley, ndërsa pakkush mund të besojë që anglezët do të lëshojnë pikët në këto dy sfida.
Sikur niveli superior i futbollit anglez të mos mjaftonte, përfaqësuesja e Anglisë është në një moment shumë pozitiv të saj. Këtë e ka pranuar të enjten përzgjedhësi Gareth Southgate, që publikoi listën për ndeshjet e shtatorit. Pra, Kosova do të ketë punë me Anglinë në nivelin më të lartë të saj.