Anglia ende nuk e ka zgjidhur problemin e madh

Prishtinë | 17 Qer 2024 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Problemi i madh i Anglisë ende nuk është zgjidhur. Gjetja e balancës së duhur në pjesën qendrore të mesfushës është çështje e hapur për Gareth Southgate në tetë vjetët e tij si trajner i Anglisë. Kështu që ai vendosi për diçka më ndryshe në Evropianin në Gjermani.

Për ndeshjen hapëse të Anglisë në “Euro 2024”, të dielën ndaj Serbisë, Southgate vendosi të luajë me Trent Alexander-Arnold si partner të Declan Rice në mesfushën qendrore. Alexander-Arnold luan mbrojtës i djathtë te Liverpooli.

Southgate, që rrallë merr vendime me dozë të rrezikshmërisë, pranoi se kishte “një element të panjohur” në aktivizimin e Alexander-Arnold jashtë pozitës së tij. 

Alexander-Arnold la fushën në minutën e 69-të në fitoren e vështirë 1:0 të Anglisë.

I njohur për pamjen e lojës dhe pasimet e mira, Alexander-Arnold bëri disa pasime të gjata mbresëlënëse për ta shtyrë Anglinë para. Pati një ndërprerje të mirë në mesin e pjesës së parë, që solli një sulm të rrezikshëm të Anglisë. Kishte edhe momente të tjera pozitive nga Alexander-Arnold.
Por kishte edhe gjëra që nuk shkuan si duhet për Alexander-Arnold dhe rrjedhimisht edhe për Southgaten.

Ai dy herë e humbi topin në gjysmëfushën e Anglisë duke i lejuar rivalit të kundërsulmojë. Disa pasime shkuan larg cakut, sidomos një nga 40 metra për Harry Kane që shkoi te portieri i Serbisë. Ishte momenti kur Anglisë i duhej ta kishte sa më shumë topin.

Ndoshta gjëja më brengosëse ishte pozicionimi i tij, sidomos në pjesën e dytë. Kjo bëri që Anglia të shkojë gjithnjë e më thellë, ndërsa Serbia po kthehej në lojë.

Dukej që Rice e Alexander-Arnold nuk kanë punuar si dyshe. Me përfaqësueset e mëdha evropiane ky do të jetë problem, sidomos kur në anën tjetër janë mesfushorët cilësorë. 

Kjo kishte ndodhur ndaj Kroacisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2018, ndaj Italisë në finale të “Euro 2020” dhe ndaj Francës në çerekfinale të Kupës së Botës 2022. Të gjitha ato ndeshje u humbën nga Anglia.

Conor Gallagher e zëvendësoi Alexander-Arnoldin dhe mund të jetë opsion për të enjten ndaj Danimarkës. Kobbie Mainoo dhe Adam Wharton janë opsionet e tjera, së bashku me Rice, që është titullar i padiskutueshëm dhe njëri prej më të rëndësishmëve tek Anglia.

Wayne Rooney, ish-kapiteni i Anglisë, ishte ndër ata që paralajmëruan Southgaten që të mos e aktivizonte Alexander-Arnodlin në pozitën e panjohur.

Roy Keane, po ashtu, ka vërejtjet e tij për pozitën e Alexander-Arnold. 

Ndeshja e parë nuk dha përgjigjet përfundimtare. Por Southgate mund të shikojë përreth për zgjidhje të tjera për shqetësimin e jashtëzakonshëm të Anglisë.

Të ngjashme