Kombëtarja e Anglisë nuk do të mund të llogarisë në mesfushorin ofanziv, Jack Grealish për ndeshjet e nëntorit, përfshirë këtu edhe në duel me Kosovën. Futbollisti i Aston Villës ka pësuar lëndim së fundmi dhe pritet të mungojë në ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2020.
Ëndrra e Jack Grealish për të luajtur për Anglinë muajin e ardhshëm në ndeshjet kualifikuese të Euro 2020 ndaj Kosovës dhe Malit të Zi, shkruan Gazeta Express.
Në fakt, mesfushori ofanziv ishte duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyeshme me Aston Villën dhe përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate e përcolli atë në ndeshjen e së shtunës në humbjen 0:3 nga Manchester City.
Ai i kishte realizuar tre gola në katër ndeshjet e fundit dhe kjo kishte bërë që Southgate të mendonte ta ftojë për ndeshjet e nëntorit.
Mirëpo, Grealish u zëvendësua në minutën e 84-t për shkak të një problemi në pulpë dhe 24 vjeçari mund të mungojë më gjatë, prej dy deri në katër javë.
Anglia do t’i luajë në nëntor dy ndeshjet e fundit të kampanjës kualifikuese për Euro 2020, ndërsa trajneri Southgate do ta publikojë listën e futbollistëve të ftuar më 7 nëntor.
Për Kosovën, ky mund të jetë një lajm i mirë, pasi Anglisë do t’i mungojë një futbollist në super-formë në ndeshjen e 17 nëntorit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Siç dihet, “Dardanëve” iu nevojiten dy rezultate pozitive ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë për t’u kualifikuar në Kampionat Evropian