Qeveria e Angolës është zotuar se do t’i përdor të gjitha rrugët e mundshme për ta kthyer në vend Isabel dos Santos-in dhe për ta gjykuar atë në lidhje me dyshimet për korrupsion dhe nepotizëm. Ajo ka pasuri prej më shumë se 2 miliardë dollarësh.
Prokurori i përgjithshëm i Angolës, Helder Pitra Gros, tha në radio-stacionin publik të shtetit afrikan se do të përdoren të gjitha mënyrat e mundshme dhe do të aktivizohen mekanizmat ndërkombëtarë për ta kthyer në atdhe Dos Santos-in.
Ajo ishte larguar nga Angola në vitin 2018 pasi babai i saj u largua nga pushteti. Vetë Dos Santos ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje ligjore.
Përmes disa postimeve në Twitter, ajo i mohoi të gjeturat e hulumtimit të shumë gazetarëve ndërkombëtarë, të mbështetura në 715 mijë dosje të nxjerra nga bizneset e saj, duke i cilësuar këto akuza si fushatë nga qeveri e Angolës për ta diskredituar personalitetin e saj, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Në dhjetor, një gjykatë në Angolë i ngriu asetet e gruas më të pasur në Afrikë me arsyetimin se ajo ka përfituar nga marrëveshjet favorizuese me shtetin gjatë kohës së pushtetit të babait të saj.