Dy javë duke u endur nëpër det dhe të goditur nga stuhitë e dimrit. Imigrantëve që ndodhen në anijen “Sea-Watch 3” po u harxhohet durimi. Furnizimet me ushqim po pakësohen dhe pasagjerët janë lodhur nga qëndrimi në det.
Anija “Sea-Watch 3” financohet nga një grup humanitar gjerman, ndërsa kishte strehuar 32 imigrantë, duke i larguar nga një varkë e pasigurt më 22 dhjetor, përfshirë tre fëmijë të vegjël dhe katër adoleshentë që janë duke udhëtuar pa përcjelljen e prindërve.
Aktualisht, anija ndodhet në ujërat e Maltës, duke u përpjekur të qëndrojë larg zonave të detit ku ka erëra të forta dhe valë të larta. Në shenjë dëshpërimi, një imigrant ka kërcyer në ujë, duke u munduar që përmes notit të arrijë në pjesën tokësore, por është kapur shpejt nga anëtarët e ekuipazhit të anijes.
“Ne kemi mbetur në këtë anije dhe nuk po e kuptojmë se çka është duke ndodhur. Ne nuk jemi peshq apo peshkaqenë. Jemi qenie njerëzore si të gjithë të tjerët. Ne e kemi rrezikuar jetën për të ardhur në Evropë, ndërsa tash po na refuzojnë dhe nuk e dimë pse”, thotë njëri nga imigrantët e bllokuar në anije, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.