Turqia ka fuqizuar të enjten rregullat e reja kufizuese për platformat e mediave sociale, duke u kërkuar që të hapin zyra përfaqësimi në vend, ose ndryshe mund të përballen me ndëshkime financiare.
Masat përfshijnë edhe dënime për platformat sociale që dështojnë t’i shlyejnë postimet me përmbajtje fyese, shkruan Reuters.
Legjislacioni ishte pauzuar nga Parlamenti në korrik me mbështetje të partisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, dhe partisë aleate në pushtet, Partisë së Lëvizjes Nacionaliste.
Sipas rregullave të reja, platformat me më shumë se një milion përdorues në ditë duhet të hapin zyra komerciale në Turqi me qëllim të zbatimit të vendimeve të gjykatave lokale për heqjen e përmbajtjes së kontestuar brenda 48 orëve, transmeton KOHA.
Në rast se nuk bashkëpunojnë, kompanitë mund të përballen me kufizime reklamimi, me gjoba deri në 40 milionë lira turke (rreth pesë milionë dollarë amerikanë) dhe me kufizim të rreth 90 për qind të veprimtarisë, që do të destabilizonin dhe vështirësonin qasjen në platformat sociale.
Iain Levine, zyrtar i të drejtave të njeriut i “Facebookut”, ka postuar më 28 shtator një shkrim, në të ka vlerësuar se legjislacioni i ri “ngreh shqetësime për të drejtat e njeriut”.
Emma Sinclair-Web, drejtoreshë për Turqi e “Human Rights Watch”, ka përshkruar legjislacionin si “drakonik”, dhe ka bërë thirrje që gjigantët e mediave sociale të mos e respektojnë. Ajo ka vlerësuar se platformat duhet të shmangin shembullin, siç e ka quajtur, të tmerrshëm “dhe të mos e respektojnë dhe se autoritetet e Turqisë duhet të sprapsen”.
Megjithatë, partia e Erdoganit ka hedhur poshtë kritikat për legjislacionin, me pretendimin se masat e reja nuk kërcënojnë liritë elementare.
“Ne synojmë t’i japim fund fyerjeve në mediat sociale, dhe poshtërimit nëpërmjet kësaj forme të mediave”, është shprehur Ozlem Zengin, nënkryetare e grupit parlamentar gjatë një debati parlamentar për ligjin.
“Ne jemi të vetëdijshëm për vendin e tyre në jetën tonë dhe ne jemi të ndërgjegjshëm për përmasat e përdorimit të tyre, por në këtë sens, ka një seri sanksionesh të niveluara që do të mundohen të ruajnë baraspeshën ndërmjet lirive dhe të drejtave dhe drejtësisë”, ka thënë ajo.
Ibrahim Aydemir, politikan nga partia AK, ka vlerësuar të enjten se masat e reja kanë për qëllim të mbrojnë “dinjitetin, nderin dhe krenarinë” e njerëzve.
Erdogani, i cili ka 16.5 milionë ndjekës në “Twitter”, ka shprehur pikëpamjet e tij kundër mediave sociale disa herë në të kaluarën.
Disa javë para aprovimit të legjislacionit të ri, presidenti turk premtoi ashpërsimin e kontrollit qeveritar mbi mediat sociale pasi “fyerje” ishin drejtuar kundër të bijës dhe dhëndrit të tij, kur ata njoftuan në “Twitter” për lindjen e fëmijës së katërt. Erdogani pastaj u zotua se do të kishte masa të reja që do të rregullonin mediat sociale “jomorale”.