UNDP ka realizuar një anketim me 1,306 qytetarë prej të cilëve mesatarisht 42.44 për qind janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, duke shënuar rënie për 3.32 pikë përqindje krahasuar me prillin e vitit 2023, kur ky numër ishte 45.76%.
Në gjetjen e anketimit thuhet se kënaqshmëria me performancën e kabinetit ekzekutiv e kapi vlerën prej 41.8% duke shënuar ulje për 4 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 kur ishte 45.8%.
“Kënaqshmëria me punën e kryeministrit e kapi vlerën prej 48.9%, duke treguar ulje për 2.6 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 (51.5%). Kënaqshmëria me Kuvendin ishte në vlerën prej 38.7% krahasuar me 46.4% në prill 2023. Një rënie pak më e lartë e kënaqshmërisë është vërejtur me Kryetarin e Kuvendit, duke e shënuar vlerën prej 52.2%, krahasuar me 58.3% në prill 2023”, thuhet në njoftim.
Kurse edhe për presidenten Vjosa Osmani thuhet se ka një rënie të kënaqshmërisë: “duke e kapur vlerën prej 56.2% krahasuar me 60.3% në prill 2023.
Ndërkohë, është shënuar një rritje për 0.3 pikë përqindje me punën e gjykatave (29.3%) krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (29%), dhe për 1 pikë përqindje me punën e Prokurorisë (30%) krahasuar me prillin e vitit 2023 (29%).
Në përputhje me rritjen e përgjithshme të të gjithë treguesve të indeksit ekonomik, në anketën e nëntorit 2023, kënaqshmëria me drejtimin ekonomik shënoi rritje prej 2.41 pikë përqindje, duke e kapur vlerën prej 20.2% krahasuar me 17.79% në prill 2023.