Anketë: Populli amerikan mbështet mbrojtjen e Tajvanit nga Kina

Prishtinë | 27 Gus 2021 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Të dhënat e Sondazhit të Këshillit të Çikagos së vitit 2021 tregojnë se shumica e amerikanëve mbështesin një sërë politikash amerikane ndaj Tajvanit, si: njohjen e Tajvanit si vend i pavarur, përfshirjen e tij në organizatat ndërkombëtare dhe një marrëveshje të tregtisë së lirë SHBA-Tajvan.
Tensionet ndërmjet Pekinit dhe Taipeit po rriten. Frikësimi i Kinës ndaj Tajvanit është rritur që nga viti 2016 dhe është demonstruar me stërvitjet detare në Ngushticën e Tajvanit, me ndërhyrjet në hapësirën ajrore të Tajvanit dhe me masat ekonomike ndaj industrive tajvaneze. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka shitur armë të avancuara Tajvanit dhe ka normalizuar transitin e anijeve luftarake amerikane atje. Ndërsa administratat e kaluara nuk kanë marrë angazhime formale për të mbrojtur Tajvanin, një sondazh i sapo përfunduar i Këshillit të Çikagos në vitin 2021 zbulon se, për herë të parë, një shumicë e vogël e amerikanëve tashmë favorizojnë dërgimin e trupave amerikane për të mbrojtur Tajvanin nëse Kina e pushton atë.
Gjetjet kryesore
Publiku amerikan mbështet një sërë politikash amerikane në mbështetje të Tajvanit. Shumica e tij favorizon njohjen e Tajvanit nga SHBA-ja si një vend i pavarur (69%), duke mbështetur përfshirjen e tij në organizatat ndërkombëtare (65%), si dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë SHBA-Tajvan (57%).
Një shumicë prej 53% e mbështesin idenë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të nënshkruajë një aleancë zyrtare me Tajvanin dhe 46% prej tyre favorizojnë shprehimisht angazhimin për të mbrojtur Tajvanin nëse Kina e pushton atë.
Kur u pyetën për një sërë skenarësh të mundshëm, pak më shumë se gjysma e amerikanëve (52%) favorizojnë përdorimin e trupave amerikane për të mbrojtur Tajvanin nëse Kina do ta pushtonte atë.
Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në sondazhet e Këshillit që datojnë që nga viti 1982, kur është filluar me pyetjen e parë.
Republikanët (60%) kanë më shumë gjasa të mbështesin dërgimin e trupave amerikane në mbrojtje të Tajvanit sesa demokratët (50%) ose të Pavarurit (49%).
Në të njëjtën kohë, amerikanët janë të ndarë nëse Shtetet e Bashkuara duhet (50%) ose nuk duhet (47%) t’i shesin armë dhe pajisje ushtarake Tajvanit.
Mosbesimi ndaj Kinës është një faktor i rëndësishëm në mbështetjen publike të SHBA-së për Tajvanin: ndërsa shumica e amerikanëve e shohin Tajvanin si një aleat (30%) ose partner i nevojshëm (30%), shumica prej tyre e shohin Kinën si një rival (32%) ose një kundërshtar (29%).

Të ngjashme