Pandemia e Coronavirusit është duke u shkaktuar dëme të mëdha fermerëve në Kosovë.
Fermerët thonë se pandemia ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te ta dhe se prodhimtaria bujqësore është duke falimentuar.
Prodhuesit e patateve, perimeve dhe fidanëve janë në krizë, sepse është faza e shitjes së tyre dhe ata nuk mund t’i shesin produktet e tyre, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, fermeri Gani Dobratiqi i cili ka 22 hektarë të mbjellë me grurë, dhe një fermë me 20 lopë qumështore, ka treguar se edhe përkundër masave të reja, fermerët me një aneks të veçantë të vendimit dhe të pajisur me certifikatë, kanë të drejtë të punojnë nga ora 6 deri në ora 20:00.
Dobratiqi ka thënë se ky orar është i dobishëm për secilin fermer. Por ai ka kërkuar përfshirjen e fermerëve në Pakon Emergjente Fiskale.
“Sa i përket masave të ndërmarra nga qeveria, mbrëmë ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ka sjellë një vendim që fermerët kanë të drejtë me aneks dhe certifikatë të fermerit, gjithashtu edhe një vërtetim lëvizës për punëtorët fermerë prej orës 6 deri në ora 8 në mbrëmje të punojnë të gjithë”.
“Ky vendim është i drejtë nga qeveria sepse fermerët edhe ashtu nuk janë në gjendje të mirë dhe do të falimentojnë. Tash për momentin nuk dëmtohen fermerët, pasi kanë të drejtë të lëvizin por nëse nuk hyn ky vendim në fuqi atëherë kishte me qenë shumë keq”, tha ai.
Kjo ndikon shumë sepse prodhuesit e patateve janë në krizë.
“Është faza e shitjes së tyre dhe ata nuk mund t’i shesin. Siç e dimë ne, shumica e patateve importohen në Shqipëri ata nuk mund të vijnë t’i marrin, gjithashtu dëmtohen edhe prodhues të tjerë të perimeve dhe fidaneve sepse është koha e shitjes së tyre”, tha ai.
Ai tha se Qeveria nuk i ka përfshirë fermerët në pakon emergjente.
“Mbështetjet institucionale për subvencionin e granteve do t’i kenë fermerët, pas pandemisë”, shtoi Dobratiqi.