Asamblistja e VV-së në Pejë, Mevlyde Idrizi është ankuar se Albin Kurti s’e ka ftuar të shkojnë bashkë për ngushëllime te një aktiviste e Partisë që ka pasur rast vdekje.
Ajo ka shprehur dilemën nëse do të vazhdojë të mbrojë Vetëvendosjen kur liderët e partisë s’e thërrasin nëpër organizime partiake.
“Pse kur vjen Albini ne Peje une nuk ftohem kurre? A po harroni ju qe une perfaqesoj qytetaret per dy mandate? Pse pas ketyre fotove e shume te tjerave Mevlydja duhet me i mbrojte parimet e Vetevendosjes ne Kuvend? Ka zgjidhje edhe per Mevlyden. Faleminderit Albin qe po te bjen mend per grate qe perfaqesojne zerin qytetar per dy mandate/ Faleminderit Albin”, ka shkruar ajo.
Reagimi i Mevlyde Hysenit ka ardhur pasi Albin Kurti bashkë me Glauk Konjufcën shkuan në Pejë sot dhe dolën në një foto me anëtarë të Vetëvendosjes.
Ajo është ankuar edhe pse askush nga partia s’i kishte shkuar për ngushëllime pavarësisht se kishte pasur dy raste familjare.
“Mua me ka vdeke djali i axhes i hasretit 38 vjeq as ngushllime nuk me kane shpreh, me ka vdeke axha para 3 muajsh askush ngushllime nuk me ka shpreh, as me goje as me ardhje. Albinit ku ti thojne ai shkon. Kane faj te gjithe ata qe ne foto i ka krahe, perveq Glaukut..”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq lidhur me arsyen e shkuarjes në Pejë të Kurtit dhe Konjufcës, ka reaguar Berat Graniqi, aktivist i partisë i cili ka treguar se atje kishin shkuar për ngushëllime.
“Asnjë takim i organizuar i Albinit dhe Glaukut me strukturat e Lëvizjes në Pejë nuk ka ndodhur, thjeshtë sot ishte një vizitë e tyre tek një aktiviste e jona për ngushëllime, me rastin e vdekjes së një familjari të saj”, ka shkruar Graniqi në Facebook.