Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Pejë ka akuzuar Qeverinë se nuk ka ndarë mjete për asnjë investim kapital në këtë komunë.
Madje nga kjo parti thonë se partinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti e kanë votuar 21 qytetarë të kësaj ane, të cilët Qeveria i ka mashtruar me premtime.
Arton Muhaxheri, nënkryetar i degës së PDK-së në Pejë, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në hartën e Qeverisë së Kosovës nuk ekziston fare kjo komunë, krejt kjo për shkak të neglizhimit që po i bëhet.
“Kam përshtypjen që Peja është larguar prej hartës së kësaj Qeverie, nuk ekziston në hartën e kësaj Qeverie për shkak se kjo Qeveri nuk i ka ndarë asnjë cent për investime kapitale Komunës së Pejës. Ndërkohë që Peja në zgjedhjet e përgjithshme ka votuar Vetëvendosjen me mbi 21 mijë vota. Këta jo vetëm që nuk bënë asgjë për Komunën e Pejës, por aq më shumë mashtruan qytetarët e Komunës së Pejës duke mos i ndarë fonde për investime kapitale”.
Ai ka përmendur projekte që thotë se janë ndërprerë me ardhjen në pushtet të kësaj Qeveria, duke potencuar Autostradën e Dukagjinit.
Sipas tij, LVV me të ardhur në pushtet, të gjithë koncentrimin e ka fokusuar në komunat ku ajo i drejton duke e konsideruar këtë “zonë qorre”.
“Me ardhjen e kësaj Qeverie në pushtet Pejës edhe projekti gjigand që ka qenë i kanalizimit që i lidh disa fshatra të rëndësishme të Komunës së Pejës nga zona e Podurit, Tupova e shumë fshatra të tjera, ky investim është ndërprerë dhe si pasojë banorët në ato fshatra kanë jashtëzakonisht probleme”.
“Kjo Qeveri e ka harruar edhe punën e Autostradës së Dukagjinit, e cila ka qenë një projekt ideor dhe shumë i rëndësishëm për zonën e Dukagjinit e cila pothuajse është mbetur ’zorrë qorre’ nga Qeveria e Albin Kurtit. Sa më shpejtë që të merren hapa për ta ndërtuar këtë autostradë, mendoj që edhe zhvillimi ekonomik i kësaj pjese do të jetë më i hovshëm edhe Peja dhe qytetet e Rrafshit të Dukagjinit do të dalin nga kjo ‘zorrë qorre’ e rrethuar tash e sa vjet, për shkak se si duket ka humbur interesimi për të investuar në atë pjesë. LVV me të ardhur në pushtet, të gjithë koncentrimin e saj e ka bërë në komunat ku ajo i drejton dhe vlen të theksohet ndarja e mjeteve të investimeve kapitale. Komunat ku ajo ka fituar kanë ndarë më shumë mjete se në çdo komunë tjetër”.
Shef i Grupit të asamblistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Drin Veselaj, tha se Peja është neglizhuar tërësisht nga të gjitha qeveritë.
Por sipas tij, veç në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk ka munguar kujdesi, duke investuar në shumë projektet që kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Ne si Dukagjin përveç në qeverisjen Haradinaj që ka qenë i kujdesshëm në këtë pjesë shumica e qeverive të mëparshme e kanë neglizhuar, po flas si regjion po ne veçanti edhe Pejën. Ne kemi kapacitete të jashtëzakonshme edhe për zhvillimin e turizmit e çështje të tjera, po sigurisht që kjo nuk i ka bërë përshtypje qeverive të kaluara duke përjashtuar qeverisjen Haradinaj. Edhe pse ishte e shkurtër në kohë ne i kemi prekur gjërat të cilat janë investuar në atë kohë në regjionin tonë. Mendoj që Qeveria duhet me qenë e vetëdijshme që Peja dhe Regjioni i Dukagjinit kanë bukuri të jashtë jashtëzakonshme, kanë potencial dhe kapacitete për zhvillimin e turizmit. Duhet me kthyer kokën edhe nga kjo pjesë edhe me investuar sa më shumë”.
Ai thotë se problemet e qytetarëve i kanë adresuar në qendër përmes deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
“Ne kemi grupin tonë që na përfaqëson në Parlament, kemi instancat qendrore që merren me këtë çështje, presionin të themi ashtu pozitiv për regjionin tonë. Edhe ne si degë mundohemi që çështjet që na preokupojnë neve t’i adresojmë tek organet e partisë përmes deputetëve të Parlamentit të Kosovës sigurisht që i adresojmë”.
Ai ka potencuar se qytetarët përballen me mungesë të ujit të pijes e rrjetit të kanalizimit, raporton EO.
Problematike ai tha se mbetet edhe rruga në drejtim të Prishtinës, rrugë kjo shumë e frekuentuar, e që po u shkakton vonesa të shumta.
“Peja përballet me probleme shumë thelbësore, me kanalizim ujë të pijes që është një fatkeqësi e madhe tash e sa vite pas luftës, diskutohet për këto tema të cilat kishin qenë mirë të ishin të përfunduara. Ka fshatra e lokalitete qe nuk e posedojnë ujin e pijes, nuk posedojnë kanalizim të papërfunduar. Janë gjëra bazike qe qytetarët i preokupojnë. Mos të flasim për projekte të avancuara të cilat janë ndoshta që qytetarët i kishin ëndërruar po nuk e kanë atë mundësi t’i kërkojnë ato për shkak se përballen me probleme shumë thelbësore”.
“Jemi dëshmitar secili prej nesh që lëvizim në drejtim të Prishtinës është tollovi shumë e madhe e automjeteve, është shtuar numri i automjeteve dhe personave që lëvizin drejtë Prishtinës. Deri në rrugën me 4 korsi ku ne si regjion lidhemi gjithmonë është një orë në pyetje për me shkuar në atë lokacion. Kjo krijon edhe një lloj pabarazie në nivel të Kosovës për shkak se jemi regjioni i vetëm që kemi mbet pa një rrugë cilësore ashtu siç e meriton Rrafshi i Dukagjinit. Mendoj që është jashtëzakonisht jetike që me u marrë me këtë çështje edhe me u përfunduar ajo punë”.