Driton Hyseni, menaxher i planifikimit të fluturimeve dhe marketingut ka folur për zhvillimet e fundit në këtë aeroport pas përkeqësimit të motit nga dita e enjte e javës së kaluar.
“Erërat e forta ndikuan që të enjten të ndalen operimet, ndërkaq të premten janë anuluar 20 fluturime kurse kanë fluturuar 17 sosh, të shtunën kemi pasur 70 vajtje ardhje me 30 mijë pasagjer, po ashtu sot kemi 30 vajtje e ardhje”, ka thënë Hyseni.
Se kush duhet ta marr përgjegjësinë për anulim të fluturimeve, Hyseni ka bërë me dije se, kjo çështje është e rregulluar me norma ligjore ndërkombëtare jo vetëm në Kosovë.
Sipas tij, kompanitë ajrore janë përgjegjëse, madje kur ka kushte atmosferike dhe s’mund të ketë fluturime kompania është e obliguar që në opsionin e parë duhet t’i akomodojë udhëtarët e më pas t’u krijojë kushte për fluturime. “Aktualisht jemi kthyer në normalitet, sot janë 32 fluturime vajtje- ardhje me rreth 42 mijë pasagjerë”, ka thënë ai në emisionin e mëngjesit në RTK.
Ndërsa rreth pastrimit të pistave dhe përgatitjes për fluturime e aterrime, Hyseni ka thënë se kompania përgjegjëse për aeroportin ka bërë investime të jashtëzakonshme.
“LIMAK ka bërë investime në infrastrukturë dhe kemi pajisje për pastrimin e pistave, po ashtu edhe personeli është në gjendje gatishmërie. Mjegullua është një faktor që na shkakton probleme por me gjasë sivjet e ka kursyer aeroportin”, tha ai.
Sipas tij, viti 2016 ka qenë një vit rekord për ANP-në me 1 milion e 750 mijë udhëtar, dhe ka një rritje prej 17 për qind. “Sa na përket neve që kompanitë të rrisin numrin e fluturimeve, ne kemi bërë disa zbritje të taksave në aterime e gjëra tjera, pra ne i kemi stimuluar në këtë drejtim”, tha ai.