Sejdi Hoxha, përveç si Kryeshef Ekzekutiv i Postës së Kosovës, nga data 19 maj është edhe në krye të degës së PDK-së në Drenas.
Për zgjedhjen e tij në këtë post, pati dilema e deklarime se është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
Sipas këtij ligji, kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike.
Pas shumë kërkesave të shumta të pranuara nga subjektet e ndryshme, AKK ka shqyrtuar situatën e cila ka të bëjë me çështjen e papajtueshmërisë eventuale apo konfliktit të interesit, subjekt i së cilës është Sejdi Hoxha.
Në një letër të AKK-së dërguar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Drejtorit të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike dhe Bordit të Drejtorëve Postës, lidhur me shqyrtimin e gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit, ka thënë se nuk është e ndaluar dhe nuk konsiderohet si papajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik.
Në këtë letër, opinion, bëhet e ditur se adresimi që është bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka pas të bëjë me shqyrtimin dhe vlerësimin e situatës së konfliktit të interesit pas zgjedhje se Sejdi Hoxhës, si Kryetar i PDK-së, i cili njëkohësisht ushtron funksionin publik si Kryeshef Ekzekutiv në Postën.
Përderisa, ka sqaruar se çështja e vlerësimit të përshtatshmërisë profesionale si dhe ligjshmërisë së mbajtjes së funksionit të Kryeshefit të Ndërmarrjes Posta e Kosovës, në raport me zgjedhjen e tij si kryetar i PDK-së, në Drenas, duhet të bëhet nga Bordi i Ndërmarrjes në koordinim me Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në MZHE.
Sipas kësaj letre të AKK-së, mbi bazën e të gjitha pretendimeve të adresuara në rastin konkret, Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, angazhimi ose zgjedhja e Sejdi Hoxhës në pozitën e kryetarit të PDK-së, në kohën sa ushtron funksionin e Kryeshefit Ekzekutiv të Postës, nuk është i ndaluar.
“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë e privatë, fitimprurës sipas ligjit për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nen 14 të ligjit, subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet me ligj për shkak të funksionit”, thuhet në këtë letër.
Sipas Anikorrupsionit, kjo lë të kuptohet se angazhimi i Hoxhës nuk konsiderohet si papajtueshmëri në ushtrim të funksionit publik, mirëpo, kjo nuk do të thotë apriori që nëse me një ligj tjetër të veçantë apo akt nënligjor, kjo çështje të rregullohet ndryshe, nisur nga parimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ku thuhet se nuk mund të përdorë pozitën apo funksionin për t’i avancuar interesat e veta personale apo të personave të afërm.
Ky institucion ka rekomanduar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Njësinë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Bordin e Ndërmarrjes Publike Posta e Kosovës, si autoritete udhëheqëse dhe mbikëqyrës të Kryeshefit, Sejdi Hoxha, të bëj vlerësimin dhe mbikëqyrjen ligjore të çështjes së përshtatshmërisë profesionale për mbajtjen e funksionit të kryeshefit në raport me angazhimet apo përfshirjen në subjektet politike, sipas legjislacionit në fuqi për funksionimin e Ndërmarrjeve Publike.
AKK ka bërë të ditur se mund të rihap rastin në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.