Antivirusi i Microsoftit mbron më shumë se gjysmën e kompjuterëve me Windows

Prishtinë | 07 Gus 2019 | 16:56 | Nga Ekonomia Online

Antivirusi i Microsoftit Windows Defender aktualisht e mbron më shumë se gjysmën e pajisjeve me Windows, sipas zyrtarëve të kompanisë, raporton Softpedia.

Me fjalë të tjera, nga të gjitha pajisjet me Windows në të cilat Windows Defender vjen i para-instaluar, 50 për qind e tyre e mbajnë antivirusin e Microsoftit, ndërsa të tjerët e çaktivizojnë atë dhe përdorin mbrojtje të tjera.

Kjo sigurisht që është një arritje e madhe për Microsoftin, pasi që gjatë 10 vjetëve të fundit është bërë e domosdoshme të instaloni programe eksterne të sigurisë për shkak të rreziqeve të sigurisë ndaj të cilave janë të ekspozuara pajisjet me Windows.

Në të njëjtën kohë, Windows Defender ka përparuar shumë kohët e fundit, kështu që nuk është për t’u habitur që ai e mbron mbi gjysmën e pajisjeve me Windows, shkruan KOHA Ditore. Sipas testeve më të fundit antivirus të realizuara nga AV-TEST, Windows Defender është një nga produktet kryesore të sigurisë në treg, me performanca të krahasueshme me ato të ofruara nga Kaspersky ose Symantec.

Microsofti gjithashtu kohët e fundit e publikoi versionin e vet të parë të Microsoft Defender, i cili e paraqet një version të ri-brenduar të Windows Defender për pajisjet Mac.

Të ngjashme