Antonio Conte ka e ka vendosur një rekord të ri me klubin, duke u bërë trajneri i parë i Interit që i fiton pesë ndeshjet e para në Serie A, pas fitores minimale kundër Lazios të mërkurën.
Zikaltrit e vazhduan ecurinë e përkryer në ligën elitare këtë sezon falë golit të Danilo D’Ambrosios me kokë në pjesën e parë në San Siro.
Triumfi i së mërkurës e rikthen Interin në krye të ligës italiane dhe mbi Juventusin, me pikë maksimale, 15, deri tani në një sezon premtues.
Pas ndeshjes, trajneri italian tha se ishte një fitore e vështirë por shumë e rëndësishme për të dhe skuadrën e tij.
“Ishte një fitore e vështirë dhe rëndësishme kundër një skuadre të fortë, e cila ka katër vjet që punon bashkë dhe janë forcuar në sezonet e fundit. Nuk ka qenë aspak e lehtë të arrihet fitorja sonte”, tha Conte.
“Nuk jam i kënaqur me pjesën e parë, por në pjesën e dytë, ekipi tregoi karakter të madh dhe ne dominuam për t’u siguruar se do të arrinim sukses”, shtoi ai.