Anulohen seancat publike të 20 dhe 21 tetorit në rastin e Pjetër Shalës

Prishtinë | 20 Tet 2022 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Dhomat Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot kanë njoftuar që seancat publike të planifikuara të mbahen më 20 dhe 21 tetor 2022 për konferencën përgatitore për gjykim ndaj Pjetër Shalës janë anuluar.

Gjithashtu DHSK ka bërë të ditur se më 20 tetor, trupi gjykues do të takohet me disa nga palët, në seanca Ex–Parte.

Ndërsa, trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, kishte caktuar konferencat përgatitore për gjykimin, në seancë të hapur, nga data 18 deri më 20 tetor 2022 në prani të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), mbrojtjes, mbrojtësit të viktimave dhe Zyrës Administrative (Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve-ZMMD).

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme