Në Gjykatën Themelore të Ferizajt, është anuluar seanca e paraparë për këtë të enjten, në gjykimin ndaj të akuzuarve Faik Grainca, Selvije Ramadani, Xhemajl Tahiri, Ramiz Musliu dhe Lulzim Aliu të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në këtë rast, Grainca dhe Aliu po akuzohen se në cilësi të drejtorëve të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mjedis në Komunën e Ferizajt, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, e për vepër të njëjtë dhe në cilësi të zyrtarëve po të kësaj drejtorie po ngarkohen edhe Ramadani, Tahiri dhe Musliu.
Seanca e sotme është anuluar me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarës Selvije Ramadani, avokati Besmir Rrahami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Rrahmani ka kërkuar përmes parashtresës shtyrjen e seancës për një datë tjetër, pasiqë ka rast vdekje në familje dhe nuk mund të jetë prezent në gjykim.
Në këto rrethana kjo seancë ëdhtë shty në kohë të pacaktuar.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Faik Grainca gjatë vitit 2016 si person zyrtar – drejtor për Urbanizëm dhe Mjedis në Komunën e Ferizajt, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi që në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore dhe pa pëlqimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka lëshuar leje ndërtimore për objektin e banimit kolektiv dhe afarist i cili gjendet brenda perimetrit prej 50 metrash me ndërtesën ku është vendosur Biblioteka e Vogël e Qytetit – tani Arkivi Historik i Komunës së Ferizajt, i cili objekt gjendet në listën e Trashëgimisë Kulturore si objekt i trashëgimisë arkitekturale me mbrojtje të përkohshme.
E për këtë objekt po akuzohet edhe Selvije Ramadani, e cila si zyrtare në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Ferizajt, ka dhënë vlerësimin se investitori i plotëson kushtet për lejen ndërtimore.
Gjithashtu, Grainca akuzohet se në vitin 2017, në po të njëjtën pozitë siç u cek më lart, ka lejuar ekzekutimin e vendimit të Drejtorisë për Urbanizëm, me te cilin është urdhëruar investitori “Hit Imperial” që të rrënojë dhe të largojë mbindërtimin me ç’rast e ka udhëzuar me shkrim zyrtarin komunal për ekzekutimin e vendimeve që të mos e ekzekutojë konkluzionin, por paraprakisht “të vërtetohet se a ka aplikuar pala për leje e pastaj të veprohet në bazë të konkluzës”, edhe pse e ka ditur se investitori nuk mund të vazhdojë me mbindërtim pa sigurimin e lejes ndërtimore.
Tutje, në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Lulzim Aliu, gjatë vitit 2017, si person zyrtar – drejtor për Urbanizëm dhe Mjedis në Komunën e Ferizajt, ka keqpërdorur detyrën zyrtare ngase nuk ka ndërmarrë veprimet për ekzekutimin e konkluzës të Inspekcionit të Ndërtimtarisë për rrënimin e mbindërtimit të katit të pestë të objektit banesor të investitorit “Hit Imperial” .
Ndërkaq, të akuzuarit Xhemajl Tahiri dhe Ramiz Musliu po akuzohen se si persona zyrtarë-inspektorë të ndërtimtarisë në Drejtorinë e Urbanizmit nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare me rastin e vizitës inspektuese në objektin ndërtimor të investitorit “Hit Imperial”, nuk kanë vendosur shiritat për ndërprerjen e punimeve.