Anulohet konkursi, Nehat Thaçi mbetet drejtor i Burgjeve

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, ka marrë vendim që të anuloj konkursin e datës 27 dhjetor 2017, i shpallur nga Ministria e Administratës Publike dhe rekomandimi i Komisionit për Vlerësimin e Kritereve për përzgjedhjen e kandidatit për pozitën Drejtor i Përgjithshëm në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Këtë pozitë të këtij konkursi e kishte fituar drejtori i tanishëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

Vendimi erdhi pas një ankese të njërit nga kandidatët që kishte aplikuar për të njëjtën pozitë.

Përveç anulimit të konkursit, i njëjti këshill kishte thënë se “Obligohet Ministri i Ministrisë së Administratës Publike dhe Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës që brenda afatit prej 15 ditësh që nga dita e pranimit të vendimit të bëjnë zbatimin e tij”.

Për një muaj nuk ishte sqaruar se çfarë saktësisht është ndërmarrë pas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

Kallxo.com ka kërkuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të dijë se çfarë hapash janë ndërmarrë pas vendimit të këshillit dhe se a do të filloj nga pika zero i gjithë konkursi ku Nehat Thaçi ishte zgjedhur si drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, në përgjigjen drejtuar kallxo.com, procesi i konkursit ka qenë transparent, ndërsa theksohet se i njëjti konkurs dhe i gjithë procesi është monitoruar edhe nga mekanizma të jashtëm, përkatësisht kompania britanike sipas marrëveshjes së Ambasadës Britanike dhe Qeverisë së Kosovës për pozitat e larta drejtuese, si dhe nga përfaqësuesit e EULEX-it.

“Palët e përfshira në këtë proces kanë dhënë vlerësimet e tyre, përkitazi me kandidatët, duke përfshirë edhe çështjen e vlerësimit të kritereve po ashtu edhe vlerësimet në proceset pasuese, me ç’ rast z. Thaqi ka marrë vlerësimin më të lartë në raport me konkurrentët tjerë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë për kallxo.com thotë se janë refuzuar dy ankesa në lidhje me procesin e rekrutimit të pozitës drejtuese të SHKK-së.

Por çfarë ka ndodhur me vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës?

Pas vendimit të Këshillit i cili më pas i është dërguar edhe organeve kompetente të cilat kanë qenë të përfshira në këtë proces, Ministria e Administratës Publike ka ushtuar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke i bashkangjitur edhe kërkesë për masë të parakohshme për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Këshillit.

“Nga Ministria e Administratës Publike jemi njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me Aktvendimin A.nr.2550/18, ka aprovuar propozimin për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës A.nr.520/2018 të datës 19.10.2018, andaj jemi në pritje të vendimit përfundimtarë të gjykatës përkitazi me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Kallxo.com pati raportuar në lidhje me vendimin e Këshillit për konkursin për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve të Kosovës.

I gjithë vendimi nga ana e Këshillit Të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, ishte marrë për shkak të një ankese nga kandidati Ali Gashi, i cili u ankua se e kanë diskualifikuar jashtëligjshëm nga procesi edhe pse i njëjti kishte plotësuar kriteret e konkursit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme