Profesori nga Sapienza University of Rome, Roberto Capata ligjëroi për pjesëmarrësit e Akademisë Ndërkombëtare Verore në Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë, me ç’rast, në bashkëbisedim me studentët, ai shtjelloi temën e financimit të projekteve të energjisë së ripërtëritshme, me fokus në erën dhe panelin diellor.
Duke qenë se aktualisht është duke u bërë një shfrytëzim i pakontrolluar dhe harxhim në masë të madhe i resurseve të paripërtëritshme, që shërbejnë si burim i energjisë në një pjesë të madhe të botës, përshirë edhe Kosovën, e ardhmja e përfitimit të energjisë mbetet tek burimet e ripërtëritshme, andaj për këtë qëllim, edhe UBT po mundohet që, përmes kësaj akademie, t’i përgatisë studentët për sfidat dhe zgjidhjet që duhet të bëhen për të ardhmen.
Në kuadër të kësaj ligjërate, profesori Roberto Capata tregoi në mënyrë të detajuar për historikun e zhvillimit dhe evoluimit të energjisë së ripërtëritshme, mënyrat e shfrytëzimit të erës për përfitimin e energjisë, duke i trajtuar të gjitha aspektet teknike të këtyre proceseve. Po ashtu, ai prezantoi edhe format e ndërtimit të mullinjve të erës për përfitimin e energjisë, mënyrën e funksionimit, hapësirat tokësore të përshtatshme për ndërtim të tyre etj.