Agjencia e njohur amerikane e lajmeve, “Associated Press”, ka publikuar një artikull të gjatë me tone pesimiste për Ukrainën e me ogure pozitive për Rusinë. Sipas kësaj agjencie, duket se koha është në anën e Moskës.
Tani kur zyrtarë të lartë rusë e amerikanë po bisedojnë përsëri dhe po e vendosin skenën për një samit, Putini duket më afër se kurrë betonimit të fitimit të rreth një të pestës së territorit të Ukrainës dhe mbajtjes së saj jashtë NATO-s, thuhet në artikull.
Presidenti Trump në mënyrë të ndjeshme e ripunoi politikën trevjeçare të ShBA-së për izolimin e Rusisë, kur e telefonoi Putinin dhe tha më pas se ata u pajtuan “për të punuar së bashku shumë ngushtë” për t’i dhënë fund luftës. Ai tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, “do të jetë i përfshirë” në bisedime, por nuk hyri në hollësi, thuhet më tej.
Trumpi gjithashtu shprehu mirëkuptim për kërkesën kyçe të Putinit rreth çështjes kritike – perspektivës së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, të cilën më parë ShBA-ja dhe anëtarë të tjerë të aleancës e përshkruanin si të pakthyeshme. “Ata kanë qenë duke thënë për një kohë të gjatë se Ukraina nuk mund të shkojë në NATO dhe unë jam në rregull me këtë” – tha Trumpi për Rusinë.
Përderisa Zelensky më parë e kërkonte tërheqjen e plotë të Rusisë nga të gjitha zonat e pushtuara si parakusht për bisedime, ai më vonë pranoi se Kievi nuk mund ta kthejë menjëherë tërë territorin. Ai tha se Ukraina nuk do ta braktisë qëllimin e saj për të hyrë në NATO, edhe pse Trumpi e përshkroi këtë si “jopraktike”, dhe presidenti ukrainas e theksoi nevojën për garanci perëndimore të sigurisë dhe një forcë të fuqishme evropiane paqeruajtëse për t’i parandaluar sulmet e mëtejme ruse, përcjell gazeta “Nacionale”.
Telefonata e Trumpit me Putinin dhe bisedimet pasuese Rusi – ShBA në Arabinë Saudite e shpartalluan politikën e administratës së Bidenit, “asgjë rreth Ukrainës pa Ukrainën”. Trumpi e fajësoi Kievin se ka dështuar që të bëjë një marrëveshje me Moskën me të cilën do të mund të parandalohej lufta, e vlerësoi lart fuqinë ushtarake të Rusisë dhe madje sugjeroi se Ukraina “mund të jetë ruse një ditë”.
Qasja e Trumpit i shokoi aleatët evropianë, shoku i të cilëve u thellua, kur nënpresidenti amerikan, JD Vance, i qortoi ashpër ata në Konferencën e Munihut për Sigurinë në lidhje me shprehjen e lirë dhe emigrantët.
Uashingtoni “ka sinjalizuar se ShBA-ja e vetme do ta negociojë fundin e luftës, por gjithashtu se Evropa e vetme duhet të paguajë dhe të zbatojë një rezultat pse nuk ka luajtur një rol në marrjen e vendimit” – tha Gould-Davies, analist për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.
Shumë njerëz besojnë se Putini nuk është në nxitim për të arritur një marrëveshje të paqes.
“Negociatat duken të dëshirueshme por në asnjë mënyrë të nevojshme që Rusia t’i arrijë qëllimet e veta në luftën e saj kundër Ukrainës” – tha Tatiana Stanovaya nga Qendra “Carnegie” për Rusinë dhe Euroazinë.
“Pothuajse cilido rezultat do të ishte i mirë për Moskën” – shtoi ajo, duke i përmendur dobësimin e unitetit perëndimor dhe përkrahjen e zvogëluar të Perëndimit për Kievin në kohën e fitoreve territoriale të Moskës.