Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë përuruar shërbimin e ri të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, raporton Ekonomia Online.
Për këto produkte, është thënë se deri më tani qytetarët kanë shpenzuar 4 mijë euro në sektorin privat, ndërsa tani do t’i marrin falas.
Kryeministri Albin Kurti, tha se kostoja e kësaj aparature është mbi 2 milionë euro, ndërsa çiftet që vijnë këtu ta kenë falas këtë shërbim cilësor.
“Pata mundësinë të shoh aparaturën modern e cila është investimi i fundit, gjithsej është 2 milionë euro, gjysma është prej Ministrisë së Shëndetësisë gjysma prej SHSKUK-së. Vetëm aparatura e laboratorit embriologjisë është mbi 1 milion euro dhe përveç kësaj ishin edhe dy ultrazë të ri si dhe një pajisje e cila ishte version i kombinuar i stereoskopisë dhe llaparaskopisë me këtë investim që kemi bërë në këtë repart do të jetë i mundur që dy herët e para çiftet që vijnë këtu ta kenë falas këtë shërbim cilësor, modern por gjithashtu edhe pas dy herëve të para do të paguajnë 670 euro, ndërkaq ne e dimë që në sektorin privat kjo është rreth 3 mijë euro”, u shpreh Kurti.
Drejtori Zef Ndrejaj, ka thënë se puna me paciente ka filluar dhe se aparaturat për këtë shërbim është ndër më të mirat në rajon.
Ai theksoi se për përdorimi e aparaturave stafin i Klinikës është trajnuar me kohëve dhe nga ky shërbim presin që të korrin suksese.
“Ky repart ka filluar të rinovohet që disa vite, mirëpo vitin e fundit ka filluar me hapa më të shpejt dhe e kemi tash ditën e inaugurimit që është repart i rëndësishëm për shëndetin e popullatës sonë sidomos për rastet që kanë nevojë dhe janë me problem me fertilitet. Reparti është një repart që vlerën e ka dikund 2 milion euro. Është repart i cili ka pasur shumë nevojë popullata jonë në sektorin publik. Jemi prej klinikave në regjion ndoshta fillestare me këtë repart që fillojmë punën. Është repart që kursen shumë buxhetin që me procedurat, dhe punën që do të bëjë do të kursej punën e popullatës. Siç e dimë në klinikat private kjo procedurë shkon deri në 3-4 mijë euro një seancë ndërsa këtu në tersi shërbimi do të jetë falas. Do ta kemi një aparaturë më të mirën në rajon”, u shpreh Ndrejaj, teksa pret që vitin e ardhshëm të lindin fëmijët e para me procedurë të IVF-së.
“Përpos aparaturës, stafin e kemi përgatitur që një kohë, janë bërë trajnimet e duhura dhe puna do të filloj mbarë dhe do të korrim sukseset. Presim vitin 2025 që ndoshta edhe bebat e para ose indet e para të kryhen në këtë klinik nga IVF. Puna vetëm ka filluar, por procedura e IVF, si procedurë i ka ato fazat e veta. Jemi në fazën fillestare ku puna me pacient vetëm ka filluar. Ka filluar mbledhja e pacientëve që kanë nevojë, klasifikimi i tyre, formimi i listave që shkohet në bazë të procedurave”, deklaroi ai.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka falënderuar stafin e Klinikës për punën e që kanë bërë që ky shërbim të bëhet i mundur në Kosovë.
Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës, në mungesë të votave.
Institucionet private shëndetësore ofrojnë këtë shërbim për vite të tëra, të cilat janë licencuar nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të Udhëzimit Administrativ nr. 06/2013 për frytnimin e asistuar mjekësor.