Apeli anulon aktgjykimin ndaj Lazoviqit, rasti rikthehet në rigjykim

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 20:30 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit e Kosovës, me aktvendimin APS.nr.19/2026, ka aprovuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Srdjan Lazovic, avokates Feride Xani, si dhe ankesën e të akuzuarit Srdjan Lazovic, dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.93/24 të datës 03.02.2026, duke e kthyer çështjen penale në rigjykim dhe vendim.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktgjykimin PS.nr.93/24 të datës 03.02.2026, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Srdjan Lazovic për veprën penale Krime lufte kundër popullsisë civile në bashkëkryerje, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) vite e gjashtë (6) muaj.

Gjykata e Apelit, duke shqyrtuar aktgjykimin e ankimuar në kuadër të pretendimeve ankimore dhe sipas detyrës zyrtare, ka gjetur se aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 1.10 dhe paragrafi 2 nënparagrafi 2.7, lidhur me nenin 369 paragrafët 6 dhe 7, si dhe se këto shkelje kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nga neni 386 paragrafët 1 dhe 2 të KPP-së.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, ndonëse gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte administruar një numër të konsiderueshëm provash materiale, nuk i ka trajtuar fare ato në arsyetimin e aktgjykimit, nuk ka bërë vlerësimin e tyre, nuk ka dhënë arsye lidhur me vlerën e tyre provuese dhe nuk ka nxjerrë përfundime për rëndësinë e tyre në vërtetimin e gjendjes faktike. Veçanërisht, nuk ka trajtuar raportin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe dy raportet e ekspertëve të huaj që lidhen drejtpërdrejt me identifikimin e të akuzuarit, duke mos dhënë asnjë arsye nëse gjetjet e tyre janë pranuar apo refuzuar dhe mbi çfarë baze.

Të ngjashme