Gjykata e Apelit ka njoftuar se e ka refuzuar si të pa bazuar ankesen e avokatit mbrojtës, kundër vendimit mbi caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj të Xhabir Zharkut.
Përmes një komunikatë drejtuar mediave, Apeli ka bërë me dije se kjo masë do të mbetet në fuqi deri më 13 janar të vitit 2020.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesen e avokatit mbrojtës, kunder vendimit mbi caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurit Xh.Zh. Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj i datës 15.12.2019, sipas të cilës kjo masë do të zgjas nga data 14.12.2019 deri më 13.01.2020, mbetet në fuqi”, thuhet në komunikatë.
Zharku po dyshohet nga ana e prokurorisë për shkak të dy veprave penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit” nga neni 339 par. 1 lidhur me nenin 3 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës se parë, drejtë ka vlerësuar se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprat penale në fjalë, ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, ngase ka arsye për të besuar se me gjetjen e tij në liri, i njëjti mund të ikë ose arratiset, më qëllim të shmangies se procedurës penale, apo të ndikoj në prova ose dëshmitarë, më qellim të pengimit të rrjedhës normale të saj.