Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, vendosi në lidhje me ankesat e mbrojtësit dhe ankesën e Prokurorit Special të paraqitura kundër aktgjykimit të dhënë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës në të ashtuquajturin rastin “Drenica 2”.
Sipas një komunikate, kolegji i Apelit me vota unanime vendosi që të ndryshojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, duke e ndryshuar dënimin për veprën penale në vazhdim të kryer në bashkëkryerje për të pandehurit Jahir Demaku me 6 vjet burgim, Sylejman Selimin me 7 vjet burgim, Isni Thaçin me 6 vjet e 6 muaj burgim dhe Zeqir Demaku me 6 vjet burgim, ndërsa, është konfirmuar dënimi prej 3 vjet burgim për të pandehurit Agim Demaj, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, Selman Demaj, Driton Demaj, Bashkim Demaj. “Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Mitrovicës i datës 27 maj 2015 i shpalli të gjithë dhjetë të pandehurit fajtorë për krime lufte kundër popullatës civile dhe i dënoi ata me burgim nga 3 deri në 8 vjet burgim.
Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, të gjithë mbrojtësit e të pandehurve kishin paraqitur ankesa ndaj Aktgjykimit në lidhje me pjesën që ka të bëjë me dënimin, ndërsa Prokurori Special kishte paraqitur ankesë, duke kërkuar dënim më të ashpër për të gjithë të pandehurit. Kolegji i Apelit, megjithatë, i refuzoi unanimisht ankesat e paraqitura nga të gjithë avokatët mbrojtës dhe Prokurorit të PSRK-së, si të pabaza dhe ka vepruar sipas detyrës zyrtare, duke i ndryshuar disa pjesë të Aktgjykimit të kundërshtuar në lidhje me kualifikimin ligjor, përkatësisht ka aplikuar dispozitën e veprës.