Apeli i Speciales e lë në paraburgim Isni Kilajn

Prishtinë | 12 Jan 2024 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë refuzuar apelin e Isni Kilajt kundër vendimit për mbajtjen e tij në paraburgim.

Vendimi është marrë më 11 janar 2024 nga kryetarja e panelit të Apelit, gjyqtarja Michele Picard, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për këto arsye, Kolegji i Gjykatës së Apelit: mohon apelimin; pranon kërkesën e mbrojtjes për riklasifikim; udhëzon riklasifikimin e përgjigjes (IA004/F00004) në përputhje me Rregullën 82 (5) të Rregullave; udhëzon ZPS-në që të dorëzojë një version të redaktuar publik të përgjigjes (IA004/F00003) ose të tregojë, përmes një dosjeje, nëse ajo mund të riklasifikohet si publike, brenda dhjetë ditëve nga marrja e njoftimit për këtë vendim; dhe udhëzon regjistrin që të ekzekutojë riklasifikimin e përgjigjes (IA004/F00003) pas indikimit nga ZPS, nëse ka, se ajo mund të riklasifikohet”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit të Apelit, Kilaj kishte paraqitur dy baza kundërshtuese sa i përket vendimit të Themelores së Speciales për vazhdimin e paraburgimit ndaj ti. Kilaj kishte kërkuar nga Apeli që të urdhërojë lirimin e tij të menjëhershëm.

Në Apel, Kilaj zhvillon dy baza apeli që konsistojnë në gabime të supozuara ligjore të kryera nga gjyqtari i vetëm. Kilaj kërkon që Kolegji i Gjykatës së Apelit ta pranojë Apelin dhe të urdhërojë lirimin e tij të menjëhershëm”, thuhet në vendim, duke theksuar se ZPS-ja kishte kërkuar që të hudhet poshtë ky apelim i Kilajt.

Në vendim, thuhet se në apelimin e tij, Kilaj kishte pohuar se gjyqtari i vetëm pranoi standardin e saktë të provës sa i përket dyshimit të bazuar lidhur me vlefshmërinë e paraburgimit, mirëpo sipas tij u gabua zbatimi i këtij standardi.

“Konkretisht, Kilaj argumenton se gjyqtari i vetëm i) e ktheu barrën e provës duke sugjeruar që Kilaj duhet të paraqesë një “shpjegim të detajuar” dhe “mbështetje konkrete” për pohimin e tij se ai e kishte marrë materialin e sekuestruar nga një burim publik; (ii) arriti në përfundimin e gabuar se materiali i sekuestruar nuk ishte në domenin publik dhe konstatoi se posedimi i materialeve nga Kilajt ‘duhet të ketë kërkuar veprimet e personave të tjerë”, thuhet në vendim.

Isni Kilaj kishte pohuar se si rezultat i gabimit në pikën e lartcekur, gjyqtari kishte gabuar në vlerësimin e rrethanave për posedimin e materialit të sekuestruar nga ai.

“Në nënpikën e dytë, Kilaj pohon se, si rezultat i gabimit në nënpikën e parë, gjyqtari i vetëm gaboi në vlerësimin e tij të rrethanave të posedimit të materialit të sekuestruar nga Kilajt. Kilaj pohon se përfundimi i gjyqtarit të vetëm bazohej në “spekulime të padëshmuara”, thuhet në vendim.

Në vendimin e tij, Kolegji i Apelit thekson se janë të vetëdijshëm që ende nuk është ngritur aktakuza, duke rikujtuar se ekziston mundësia për të ndaluar një person të dyshuar edhe para ngritjes së aktakuzës.

“Në fillim, Kolegji është i vetëdijshëm për faktin se ende nuk është ngritur aktakuzë. Megjithatë, Paneli rikujton se mundësia për të ndaluar një të dyshuar para ngritjes së aktakuzës është paraparë shprehimisht në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara. Paneli më tej pranon se çdo analizë e paraburgimit duhet të marrë prezumimin e pafajësisë si pikënisja e tij. Nga kjo rezulton se paraburgimi nuk mund të mbahet lehtë”, thuhet në vendim.

Ndërsa, tutje thuhet e kolegji i Apelit nuk është i bindur se përfundimet e gjyqtarit për vazhdimin e paraburgimit për Kilajn nuk janë në përputhje me standardet ligjore.

Duke pasur parasysh këto, Kolegji i Apelit gjen merita në argumentin e Kilajt se konstatimi i dyshimit të bazuar nuk mund të bazohet thjesht në një mundësi.

“Duke iu kthyer sfidës së Kilajt ndaj përdorimit nga gjyqtari i vetëm të termave “mund” dhe “mundësisht”, trupi gjykues vëren se termat janë përdorur në kontekstin e konstatimit ndërmjetësues të gjyqtarit të vetëm në lidhje me një element të një krimi specifik, dhe jo në tërësinë e tij”, thuhet në vendim.

Në vendimin e Apelit, theksohet se Kolegji nuk ka gjetur ndonjë gabim në zbatimin e standardit sa i përket ‘dyshimit të bazuar’ si bazë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Në çdo rast, Kolegji rikujton se vendimet në lidhje me paraburgimin janë diskrecionale dhe gjyqtari i vetëm është në pozitë më të mirë për të trajtuar faktorët përkatës. Prandaj, Kolegji i Apelit nuk do të ndërhyjë, përveç nëse ankuesi demonstron ekzistencën e një gabimi të dukshëm në konkluzioni i gjyqtarit të vetëm. Kolegji konstaton se Kilaj dështon të demonstrojë një gabim të tillë, dhe rrjedhimisht hedh poshtë argumentet e Kilajt në nënpikën e tretë”, thuhet tutje, duke potencuar se Apeli rrjedhimisht hudhi poshtë pikën e parë të ankesës së Kilajt.

Të ngjashme