Katër vite më pak burg se sa ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë, do t’i mbaj i dënuari për vrasje, Esat Bajrami.
Kjo pasi që Gjykata e Apelit, ka vendosur që Bajramit t’ia zbus dënimin e shqiptuar nga 16 vjet burgim në 12 sosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një vendim të tillë, Apeli e ka marr në shtator të këtij vitit, me ç’rast ka aprovuar si të bazuara ankesat e ushtruara nga ana e mbrojtjes së Bajramit si dhe palës së dëmtuar.
Gjykata Themelore në Gjakovë, më 24 qershor të këtij viti, e kishte shpallur fajtor për vrasjen e Arlind Hanës, të akuzuarin Esat Bajrami. Bajrami ishte shpallur fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, pasi që paraprakisht e kishte pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohej.
Për vrasjen e tanimë të ndjerit Hana, Bajrami ishte gjykuar me 15 vjet e gjashtë muaj burgim kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me një vit burgim.
Më pas, ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 16 vitesh burgim.
Ky dënim i shqiptuar ndaj Bajramit kishte qenë dy vite më pak se sa ishte shqiptuar ndaj tij gjatë gjykimit të parë. Përkatësisht, Bajrami ishte dënuar me 18 vite burgim në maj të vitit 2019, mirëpo, ai aktgjykim ishte anuluar nga Apeli në gusht të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Pala e dëmtuar nuk ishte udhëzuar në kontest civil, pasi që të njëjtit kishin hequr dorë nga një kërkesë e tillë.
E pakënaqur edhe me aktgjykimin e dytë të shpallur nga Gjykata Themelore në Gjakovë, avokatët mbrojtës, Besnik Berisha dhe Teki Berisha janë ankuar sërish në Apel.
Të njëjtit, Apelit i kanë propozuar që ndaj Bajramit të shqiptohet një dënim më të butë. Propozim të njëjtë për gjykatën e shkallës së dytë kishte pasur edhe pala e dëmtuar në këtë rast.
Kurse, Prokuroria e Apelit, përmes një parashtrese të dërguar në gjykatë më 31 gusht 2020, kishte propozuar që të refuzohen ankesat e mbrojtjes dhe aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet.
Duke vendosur lidhur me këtë ankesa, kolegji i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Hashim Çollaku, Driton Muharremi dhe Abdullah Ahmeti, ka ardhur në përfundim se në këtë rast, ka hapësirë që ndaj Bajramit të shqiptohet dënim më i butë.
Për zbutjen e dënimit ndaj Bajramit, Apeli ka marr parasysh të gjitha rrethanat, e sidomos rrethanat lehtësuese siç janë, pranimi i fajësisë, keqardhjen dhe pendimin e shfaqur nga i akuzuari, kërkim falja publike familjes së të dëmtuarit, moshën e re të akuzuarit, faktin se familja e të akuzuarit dhe të ndjerit janë pajtuar, se të dëmtuarit nuk i janë bashkangjitur ndjekjes penale dhe as nuk kanë parashtruar kërkesë pasurore-juridike por përkundrazi kanë atakuar aktgjykimin e shkallës së parë për shkak të vendimit mbi dënim duke e konsideruar si dënim tepër të rëndë.
Po ashtu, siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, disa nga rrethanat rënduese që janë potencuar në aktgjykimin e shkallës së parë, nuk mund të merren si rrethana rënduese.
“Në anën tjetër kjo gjykatë vlerëson se disa nga rrethanat rënduese nuk mund të merren si rrethana rënduese siç është fakti se ka qenë i përgjegjshëm me rastin e kryerjes së veprës, dashjen direkte, motivin (që për veprën penale të vrasjes nga neni 178 nuk kërkohet të ketë motiv), mënyra e kryerjes, të cilat janë pjesë konstituive të veprës penale” – thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Duke u bazuar në të gjitha këto rrethana, shkalla e dytë ka ardhur në përfundim se dënimi i shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë është i ashpër, ndërsa me dënimin tanimë të zbutur nga Apeli, mund të arrihet qëllimi i dënimit.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 15 maj 2019, e kishte dënuar të akuzuarin Bajrami me 18 vite burgim unik për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 29 gusht 2019, e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Teki Bokshi, duke e kthyer kështu rastin në rigjykim dhe vendosje.
Sipas arsyetimit të aktvendimit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është mbështetur në shkelje esenciale të dispozitave të KPP-së.
Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i dhënë në kundërshtim me vetveten dhe me arsyet e paraqitura, dhe se në arsyetim nuk janë paraqitur faktet vendimtare të cilat gjykata e shkallës së parë konkludoi kryerjen e veprës penale nga ana e të akuzuarit.
Sipas aktakuzës, më 1 nëntor 2017, rreth orës 09:40, në Gjakovë, Esat Bajrami, më saktësisht në lokalin “TONI-Bruger”, me dashje që të privojë nga jeta tani të ndjerin Arlind Hana, për shkak të një mosmarrëveshje me të cilin ka pasur i dyshuari për vrasje Esat Bajrami lidhur me motrën e të dyshuarit, e cila është e mitur E.B.
Në ditën kritike, sipas aktakuzës, i pandehuri Esat Bajrami, shkon në lokalin e tashmë të ndjerit, dhe qëndron derisa të largohen të gjithë personat të cilët ishin aty, kur mbetet vetëm viktima nxjerr nga brezi revolen e tipit “CZ” dhe me të njëjtën shtie tre herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen.