Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji, për të dyshuarin për vrasjen e vajzës së tij të porsalindur, Xh.K.
Për lënien në fuqi të kësaj mase, kjo gjykatë ka njoftuar përmes një komunikate për media.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji, për të pandehurin Xh.K. Në këtë mënyrë, kolegji penal e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 30.08.2017”, thuhet në komunikatë.
Xh. K. shqiptar nga Republika e Maqedonisë, me vendbanim në Komunën e Vitisë, mbahet në paraburgim nën dyshimin se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër të cilën dyshohet se e ka kryer ndaj fëmijës së tij të porsalindur.
Në këtë komunikatë, po ashtu thuhet se Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën ligjore, për të cilën ia ka caktuar paraburgimin të pandehurit, konform dispozitës se nenit 187 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.