Apeli lë për një muaj në paraburgim zyrtarin e Nismës që kërcënoi Albin Kurtin

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 19:14 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Nisma-s Haxhi Hoti do të kthehet sërish në paraburgim për kërcënimin që i bëri kandidatit për kryeministër, Albin Kurtit, përmes një statusi në Facebook.

Gjykata e Apelit ka marrë vendim që Hotin ta lërë në paraburgim prej një muaji duke e aprovuar kërkesën e prokurorisë që t’a shfuqizojë masën e sigurisë që Gjykata Themelore e Prishtinës e mori javën e kaluar duke e lënë të lirë atë.

Lajmin për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Është aprovuar ankesa e prokurorisë, pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Njëherit, të pandehurit që po i referoheni, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, duke u llogaritur nga dita e arrestimit”.

Në dhjetor policia kishte bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe e ka arrestuar.

Hoti në llogarinë e tij kishte shkruar se “kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dy opsione, ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme