Gjykata e Apelit ka vendosur që të refuzojë ankesën e paditësit, Bedan Murithi Kagai, nga Kenia, i cili kërkonte nga institucioni mikro-financiar “KEP Trust”, afër 1 milion euro, në emër të kompensimit së të ardhurave personale.
Kështu, me aktgjykimin e Apelit, të marr më 2 mars 2020, është lënë në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i marr më 28 mars 2016, e cila po ashtu e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesë padinë e paditësit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përmes padisë, paditësi Bedan Murithi Kagai, kishte kërkuar nga gjykata që të obligojë të paditurën, që t’ia kompensojë paditësit shumën prej, 223,263.60 euro, në emër të pagave së bashku me kamatë ligjore prej 3.5 % e cila do të llogaritej nga 7 shtatori 2011 deri më 19 dhjetor 2012, ndërsa nga data 19 dhjetor 2012 deri në pagesën përfundimtare, me kamatë ligjore prej 8 %.
Po ashtu, paditësi kishte kërkuar edhe shumën prej 26,040 euro në emër të kontributit pensional, 34,800 euro në emër të qirasë së banimit dhe 24,116.40 euro në emër të pagesës së tatimeve në Administratës Tatimore të Kosovës.
Gjithashtu, paditësi kishte kërkuar që t’i paguhej dyfishi i shumës e cila sipas padisë, i ka takuar paditësit në momentin e ndërprerjes së kontratës së punës, që sipas padisë kishte qenë e kundërligjshme dhe atë në shumë prej 616,440 euro së bashku me kamatë ligjore prej 8 % si dhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 2,368.00 euro.
Pas refuzimit të padisë nga ana e gjykatës së shkallës së parë, e pakënaqur me atë aktgjykim, përfaqësuesi i paditësit ishte ankuar në Apel, me pretendimet se në shkallë të parë ka pasur shkelje qenësorë të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale.
Me këtë ankesë, paditësi i kishte propozuar Apelit që të anulohet aktgjykimi i Themelores dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Ndërsa, në anën tjetër, pala e paditur, KEP Trust, e përfaqësuar nga avokati Kujtim Kërveshi dhe firma “Judex”, i kishte propozuar Apelit që të refuzon ankesën e paditësit kurse aktgjykimin e shkallës së parë ta vërtetojë.
Duke vendosur lidhur me pretendimet e paditësit, kolegji i Apelit i përbërë nga gjyqtarët, Mehmet Ndrecaj, Rrustem Thaqi dhe Faton Ademi, kanë vendosur që të refuzojnë ankesën si të pabazuar.
Në arsyetim të aktgjykimit të Apelit thuhet se nga shkresat e lëndës, del se paditësi me 7 shtator 2011 në gjykatën e shkallës së parë kishte paraqitur propozim për përmbarim ndaj të paditurës, i cili propozim ishte lejuar nga ana e gjykatës, mirëpo pas prapësimit të së paditurës, i njëjti aktvendim i gjykatës pastaj ishte shfuqizuar dhe propozimi i kreditori ishte konsideruar si padi.
Tutje, në aktgjykimin e Apelit theksohen pastaj arsyet dhe provat me të cilat Themelorja kishte vendosur që të refuzojë si të pabazuar padinë e paditësit.
“Paditësi gjykatës nuk arri t’ia argumentoj se të njëjtit i është ndërprerë marrëdhënia e punës në mënyrë heshtur (njëanshme) ashtu siç është paraparë në dispozitën e nenit 69 të Ligjit të Punës, pasi që paditësi prej muajit dhjetor nuk ishte lajmëruar në vendin e tij të punës”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Themelores.
E me përfundimet e gjykatës së shkallës së parë është pajtuar edhe Apeli, e cila gjykata ka vlerësuar se aktgjykimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë.
“Nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të të paditurës se aktgjykimi është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 192, paragrafi 2 pika (n) e LPK-së. Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, dispoztivi i aktgjykimit të atakuar është mjaftë i qartë e në përputhje të plotë me arsyetimet e aktgjykimit, duke qenë kështu në harmoni logjike dhe juridike dispozitiv me arsyetimin”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Sipas vlerësimit të Apelit, duke u nisur nga gjendja e çështjes rezulton se shkalla e parë drejtë ka aplikuar edhe të drejtën materiale në këtë rast.
Sipas Apelit, paditësi tek e paditura ka themeluar marrëdhënie pune në kohë të caktuar deri më 31 dhjetor 2011, mirëpo me vendim të marr më 5 janar 2011, ishte emëruar administrator i përkohshëm në vend të menaxhmentit aktual të paditurës. Por, sipas Apelit, që nga emërimi i administratorit të ri, paditësi nuk është paraqitur asnjëherë në vendin e tij të punës dhe kjo është vërtetuar edhe nga deklarata e dëshmitarit Agron Kelmendi.
“Në këtë rast, paditësi i ka përfunduar marrëdhënia e punës në mënyrë të heshtur pasi që nuk është paraqitur në vendin e tij të punës asnjëherë nga emërimi i administratorit të ri të të paditurës, po ashtu paditësi ka dështuar të parashtroj prova me të cilin do të vërtetonte fakti se i njëjti është larguar nga puna në mënyrë të kundërligjshme, e me të cilin do të kishte të drejtë në kompensimin e të ardhurave personale sipas ligjit”, thuhet tutje në aktgjykimin e Apelit.
Nisur nga të gjitha këto arsye, Gjykata e Apelit ka aprovuar në tërësi si të bazuar arsyetimin e Themelores sa i përket vendosjes lidhur me refuzimin e paditës së paditës për kompensimin e të ardhurave personale.
“Gjykata e Apelit me rastin e vendosjes i vlerësoi edhe pretendimet tjera ankimore, mirëpo të njëjtat nuk ishin me ndikim për një vendim ndryshe për çka edhe vendosi si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, përfundon aktgjykim i Apelit.