Apeli refuzon si të pabazuar padinë ku paditësi kishte kërkuar 15 mijë euro dëmshpërblim nga Komuna e Gjilanit

Prishtinë | 02 Nën 2023 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte aprovuar pjesërisht padia e paditësit B.I., dhe ishte detyruar Komuna e Gjilanit që t’ia paguajë shumën prej 1 mijë euro për kompensim të dëmit jomaterial, të shkaktuar me rastin e ndërrimit të vendit të punës.

Përmes këtij aktgjykimi, të marrë më 20 shtator 2023, Apeli ka aprovuar si të bazuar ankesën e të paditurës- Komuna e Gjilanit, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit B.I., dhe ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit B.I, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas precizimit të padisë të bërë në maj të vitit 2023, paditësi B.I. ka kërkuar nga gjykata që të obligojë të paditurën (Komuna e Gjilanit), më saktësisht Drejtorinë për Urbanizëm Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit që në emër të kompensimit të dëmit jomaterial për shkak të ndërrimit të vendit të punës në mënyrë të kundërligjshme, t’ia kompensojë shumën prej 15 mijë euro.

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit të datës 8 maj 2023 e kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit B.I., duke detyruar Komunën e Gjilanit që në emër të kompensimit të dëmit jomaterial të shkaktuar ndaj paditësit t’ia paguajë shumën në vlerë prej 1 mijë euro me kamatë ligjore prej 8%.

Kundër këtij vendimi, Komuna e Gjilanit ka ushtruar ankesë, me të cilën e ka kontestuar ligjshmërinë e këtij vendimi për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Apeli ta prishë aktgjykimin dhe lëndën ta kthejë në rigjykim ose ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe ta refuzojë kërkesëpadinë si të pabazuar me legjislacionin e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, edhe paditësi B.I., kishte ushtruar ankesë me propozim që Gjykata e Apelit të ndryshojë këtë aktgjykim dhe paditësit t’ia kompensojë shumën prej 15 mijë euro .

Gjykata e Apelit, pasi që vlerësoi ligjshmërinë e aktgjykimit të kontestuar dhe pas shqyrtimit të ankesave të parashtruara, ka ardhur në përfundim se ankesa e të paditurës- Komuna e Gjilanit është e bazuar, ndërkaq ajo e paditësit B.I., është e pabazuar.

Apelit ka gjetur se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është juridikisht i paqartë dhe kundërthënës në vete në arsyetimin e tij dhe si i tillë është jo i plotë në vërtetimin e gjendjes faktike.

“Gjykata e Apelit nisur nga gjendja faktike e konstatuar nga gjykata e shkallës së parë gjen se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka aplikuar të drejtën materiale ku ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar, nga shkaku se përderisa paditësi nuk e ka kontestuar vendimin përfundimtar në këtë procedurë, e që është vendimi i KPMSHCK-së, me nr.A.nr.362/2020 të datës 24/12/2020, e që gjykata pasi që të anulojë si të kundërligjshëm të njëjtin vendim, atëherë mbi bazën e këtij mund të kërkohet edhe kompensimi i dëmit në kuptim të dispozitës së nenit 17 të LKA-së”, thuhet në vendim.

Sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë nuk e ka vërtetuar drejt gjendjen faktike, ngase nuk e ka vlerësuar as faktin se paditësi nuk i ka shterur mjetet juridike lidhur me kërkesën për kompensim të dëmit jomaterial.

Kjo pasi që sipas Apelit, në rastin konkret, nuk ka një procedurë administrative të zhvilluar tek organi administrativ me kërkesë të paditësit, duke iu referuar pikërisht aktit të shfuqizuar dhe se i njëjti asnjëherë nuk ka kërkuar kompensimin e këtij dëmi, që pastaj të krijohet mundësia që i njëjti të mund të hapë konflikt administrativ dhe të krijojë bazën ligjore për një kompensim të tillë të kërkuar si në kërkesë padi.

“Refuzimi i kërkesë padisë së paditësit është bërë në kuptim të mos plotësimit të kushteve ligjore dhe mos krijimit të bazës ligjore lidhur me kërkesën e kompensimit të dëmit, përveç që nuk kemi akt administrative përfundimtar i cili është dashur të kontestohet me padi si i kundërligjshëm nga i cili pastaj lind kërkesa e kompensimit të dëmit, kemi edhe faktin tjerët se paditësi nuk i ka shtjerrë mjetet juridike lidhur me kërkesën për kompensim të dëmit bazuar në aktin e shfuqizuar”, thuhet ne vendimin e Apelit.

Sipas padisë së ushtruar më 7 shkurt 2019, paditësi B.I., kishte kërkuar nga gjykata që të lejohet masa e përkohshme e sigurimit dhe të urdhërohet Komuna e Gjilanit që të mos zbatojë masën disiplinore të datës 13 dhjetor 2018, me të cilën masë është vendosur që paditësi të largohet nga zyra dhe të transferohet në një zyrë tjetër me detyra të ngjashme.

Me precizim të padisë, paditësi kishte kërkuar që t’i kompensohet dëmi material në shumën 15 mijë euro.

Kurse, për këtë rast Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës më 24 dhjetor 2020 kishte nxjerrë vendim më të cilin ka aprovuar ankesën e paditësit dhe ka shfuqizuar masën e lartcekur.

Të ngjashme