Gjykata e Apelit ka shqyrtuar ankesat e mbrojtësve të katër të dënuarve në rastin e njohur si “Subvencionet 3”.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 18 shtator 2023, të akuzuarit Halit Avdijaj, Bejtush Gashi, Arbër Avdijaj dhe Sadush Kabashi, i kishte dënuar me 28 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë (së bashku), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit referues Burim Ademi, mbrojtësit e të akuzuarve Halit Avidjaj dhe Sadush Kabashi, avokatët Merita Stublla–Emini dhe Berat Tmava kanë ushtruar ankesë ndaj këtij aktgjykimit mbi sanksionin penal ndaj të mbrojturve të tyre.
Gjithashtu, sipas gjykatësit Ademi, ankesë ndaj aktgjykimit ka ushtruar edhe mbrojtësja e të akuzuarit Arbër Avdijaj, avokatja Albana Kelmendi për shkak shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vendimit mbi shqiptimin e sanksionit penal.
Kurse, ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë ka parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Lavdërim Salihu, për shkak shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe ligjit penal.
Ndërkaq, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka propozuar që ankesa e mbrojtësve të refuzohen si të pabazuar, ndërsa aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet.
Në këtë seancë, avokatja Stublla-Emini ndër të tjera tha se Gjykata Themelore nuk i kishte analizuar kushtet ekonomike të mbrojturit të saj, kur i kishte shqiptuar sanksionin gjobë në shumën prej 6 mijë, dhe se caktimi i kësaj shume ia vështirëson ushtrimin e biznesit, i cili po kalon në një krizë ku në njërën anë ka qenë në krizë shkaku i pandemisë dhe në anën tjetër për shkak të këtij rasti.
Në fund avokatja Stublla-Emini kërkoi nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij të ndryshohet aktgjykimi i atakuar, ashtu që sanksioni penal ndaj të mbrojturit të saj Avdijaj ta ulë dënimin me gjobë në një vlerë më të përballueshme në pajtim me dispozitat ligjore.
Më pas avokati Tmava ka thënë se dënimi me gjobë në shumën prej 8 mijë euro ndaj të mbrojturit të tij është i lartë për faktin se gjykata e shkallës së parë të mbrojturit tij ia kishte llogaritur kohën e kaluar në masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak.
Andaj avokati Tmava kërkoi nga gjykata që ankesa e tij të aprovohet dhe ndaj të mbrojturit të tij Kabashi t’i shqiptohet një dënim dukshëm më i ulët.
Ndërkaq, avokatja Kelmendi mes të tjerash ka propozuar gjykatës që ankesën të ia aprovoj si të bazuar ndërsa aktgjykimin e ankimuar të ndryshojë ashtu që ndaj të mbrojturit të saj Avdijaj t’i shqiptoj një dënim nën minimumin e përcaktuar sipas dipositave të Kodit Penal.
Sipas saj, ashtu siç ishte rekomanduar nga prokurori i shtetit në marrëveshje të bashkëpunimit në përpjesëtim me shkallën e kontributit të tij në bashkëpunim e drejtësinë, apo anulimin e aktgjykimit të ankimuar duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Ndërsa avokati Salihu deklaroi se për veprën penale që akuzohet i mbrojturi i tij, Gashi ka arritur parashkrimi relativ, për shkak se vepra e cila pretendohet se i njëjti e ka kryer është gjatë vitit 2016 ndërsa veprimet ndaj të mbrojturit të tij janë marrë gjatë vitit 2022.
Ndryshe në Gjykatën Themelore procedura penale ndaj katër të akuzuarve ishte veçuar në seancën e 6 shtatorit 2023, pasi të njëjtit e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.