Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin, më 5 dhjetor 2023, ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, ishte liruar nga akuza për mosraportim të pasurisë.
Hyseni akuzohej se në cilësi të Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Hysenit, i akuzuar për mosraportim të pasurisë.
Kundër vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke i propozuar Apelit që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe i akuzuari të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohej, t’i shqiptojë dënim në proporcion me peshën e veprës penale ose ta anulojë aktgjykimin e Themelores dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës kishte propozuar të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore dhe të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar, të shpallet fajtor Hyseni ose lënda të kthehet në rigjykim.
Gjykata e Apelit pas mbajtjes së seancës së Kolegjit, shqyrtoi ankesat e lëndës, vlerësoi pretendimet ankimore dhe analizoi aktgjykimin e ankimuar, andaj konstatoi se ankesa e Prokurorisë është e pabazuar.
Apeli konstatoi se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe as shkelje të Ligjit Penal në dëm të të akuzuarit, e të cilat do të kushtëzoniin anulimin e tij.
Aty thuhet se Prokuroria e ka ankimuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke konsideruar se në këtë çështje penale gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.
Por, Apeli sqaron se Themelorja kishte vlerësuar të gjitha provat e paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe kishte arritur në konkluzione të drejta, objektive dhe të ligjshme. Pra, gjendja faktike në këtë çështje penale është vëretuar drejt dhe në mënyrë të plotë.
Apeli vlerëson se Themelorja pas vlerësimit të provave, nuk ka arritur të provojë se Hyseni ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.
Në vendim, Apeli thekson se provat personale dhe materiale, përfshirë dëshminë e transferimit të lëshuar nga Raiffeisen Bank nga Skender Hyseni te N.T.SH. “Endriti”, dëshminë e Blerim Kelmendit (përfaqësues i APK-së), formularin për deklarimin e pasurisë nga Hyseni, si dhe regjistrin për deklarimin e pasurisë, kërkesën për sqarim nga APK-ja e pëgjigjen për sqarim nga Hyseni, e të gjitha provat që gjenden në shkresat e lëndës, nuk provonin se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.
Sipas Apelit, nuk është kontestues fakti që Hyseni nuk e ka deklaruar veturën, pasi u vërtetua edhe nga deklarata e vetë të akzuarit dhe provat. Shkalla e dytë vlerësoi se deklaruesi nuk ka pasur arsye ta fshehë atë pasuri, por nga neglizhenca e pakujdesia nuk e ka deklaruar.
“Nga përshkrimi ligjor i ligjit- përkatësisht neni 17, rezulton qartë se për mos deklarim apo për deklarim të pa saktë të pasurisë, të përfituar në mënyrë të ligjshme, nga neglizhenca e deklaruesit, paraqet vepim të kundërligjshëm, por tërheqë përgjegjësi kundërvajtëse e asesi vepër penale, për faktin se norma shprehet “nëse nuk është vepër penale”, thuhet në vendim.
Kurse sa i përket konfiskimit, thuhet se konfiskohet vetëm pasuria e përfituar me vepër penale, e jo ajo e fituar në mënyrë të ligjshme.
Prandaj, sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore kishte vepruar drejt kur e kishte liruar të akuzuarin nga akuza në mungesë provash, duke theksuar se përgjegjësia penale duhet të provohet dhe askush nuk mund të shpallet fajtor bazuar në supozime pa prova të drejtpërdrejta.
Ndryshe, për këto akuza, Skender Hyseni, ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 12 janar 2022.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 23 shkurtit 2022 e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit, me arsyetimin se provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale.
Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Fatlum Podvorica për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, zbatimit të gabuar të Ligjit Penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Ndërsa, Prokurori i Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
Kurse, Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarit Hyseni, e kërkesa e avokatit Podvorica është refuzuar si e pabazuar.
Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkonte Skender Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.