Apeli vërteton dënimin me 16 vjet burgim ndaj serbit të akuzuar për vrasjen në Mitrovicë

Prishtinë | 10 Maj 2023 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, përmes të cilit i akuzuari Miqa Urosheviq është dënuar me 16 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për vrasje të rëndë të viktimës D.S. më 2017 në veri të Mitrovicës dhe armëmbajtje pa leje.

Me vendimin e Apelit të marrë më 21 mars 2023, janë refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Urosheviq, avokatit Xhelal Hasani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 25 shkurt 2022, Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me 16 vite burgim të akuzuarin Miqa Urosheviq, për vrasjen e rëndë në veri të Mitrovicës në dhjetor të 2017-ës dhe për armëmbajtje pa leje.

Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ankesë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të vendimit për dënimin, duke propozuar dënim me burgim më të ashpër.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Urosheviq, avokati Xhelal Hasani ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal, si dhe vendimit për dënimin.

Avokati Hasani kishte propozuar që aktgjykimi të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, apo që e njëjta të ndryshohet dhe i akuzuari të lirohet për të dy veprat penale, apo që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i butë.

Të ngjashme