Apeli vërteton dënimin me nga 12 vjet burgim ndaj dy të akuzuarve për shpërthimin në Zhur, ku vdiq një polic

Prishtinë | 14 Shk 2024 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin Iran Badalli dhe Arben Gashi ishin dënuar me dënim unik me nga 12 vjet burgim (secili veç e veç) lidhur me akuzën për shpërthimin në Zhur, ku si pasojë kishte vdekur polici S.Th.

Në këtë rast, Gashi dhe Badalli ngarkoheshin se kanë vendosur mjet eksplodues në shtëpinë e të akuzuarit Badalli në fshatin Zhur, me rastin e bastisjes nga Policia, mjeti kishte shpërthyer ndërsa kishte mbetur i vdekur polici, S.Th, kurse të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi, si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Aktgjykimi i Themelores është shpallur më 19 shtator 2023. Ndaj tij, ankesë kishin parashtruar Prokuroria Themelore në Prizren dhe mbrojtja e dy të akuzuarve.

Prokuroria parashtroi ankesë për shkak të vendimit mbi dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarve t’iu shqiptohet dënim më i ashpër.

Kurse, mbrojtësit e të akuzuarit Badalli, avokatët Ermira Gavazaj-Gashi dhe Valdrin Gashi, kanë bërë ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe i mbrojturi i tyre të lirohet apo çështja të kthehet në rivendosje.

Po ashtu, edhe mbrojtësit e të akuzuarit Gashi, avokatët Hazër Susuri, Elinda Susuri-Humolli dhe Esat Gutaj, kanë paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke kërkuar që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe i akuzuari të lirohet apo çështja të kthehet në rivendosje.

Andaj, Apeli me aktgjykimin e 19 janarit 2024, ka vlerësuar se pretendimet ankimore nuk qëndrojnë, e as nuk kishte shkelje të dispozitave të procedurës penale, të cilat do e kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar.

Tutje, sipas Apelit thuhet se shkalla e parë kishte dhënë arsye të qarta për vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe se si kishte ardhur deri te kryerja e veprës penale nga të akuzuarit.

Pra, shkalla e dytë vlerëson se arsyet e dhëna nga Themelorja, nuk paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në aktgjykimin e Apelit, thuhet se konkludimi i gjykatës të shkallës së parë së të akuzuarit Badalli dhe Gashi janë kryerës të veprave për të cilat akuzohen, ishte i drejtë dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar që të njëjtit kanë marrë veprime inkriminuese.

Po ashtu, në të njëjtin aktgjykim thuhet se duke shqyrtuar çështjen përkitazi me vendimin për dënimin, Gjykata e Apelit ka gjetur se pretendimet ankimore të Prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarve nuk janë të bazuara.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, Themelorja me rastin e shqiptimit të dënimit për të akuzuarit Badalli dhe Gashi, kishte vlerësuar të gjitha rrethanat dhe se sipas tryre, rezulton se me dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarve, do të arrihet qëllimi i dënimit.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të dytë të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka vdekur zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivin II të aktakuzës, thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

Të ngjashme