Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte hedhur aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Hajdar Hoxha, dhe shtatë të akuzuarve të tjerë. Ata, bashkë me Hoxhën, në cilësinë e zyrtarëve të NPB-së, akuzoheshin se i shkaktuan dëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës në vlerë prej 28.7 milionë euro përmes tjetërsimit të pronave në Lakrishtë.
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i datës 22.04.2025, VËRTETOHET,” thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit, Prokuroria kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores me pretendimin e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit
Apeli konstatoi se shkalla e parë me të drejtë ka vendosur se Prokuroria nuk arriti të argumentojë ekzistencën e bashkëkryerjes në veprimet e të akuzuarve për të kryer veprat penale. Nuk u paraqitën prova që të lidhnin objektivisht dhe subjektivisht të akuzuarit me veprimet e pretenduara.
Gjykata e Apelit gjithashtu konstatoi se nuk u provua se veprimet e të akuzuarve ishin për përfitim të dobisë pasurore për personat e tretë – operatorët ekonomikë – dhe nuk u tregua me prova ndonjë mundësim kundërligjshëm për kompanitë e cituara në aktakuzë.
Sipas Apelit, ngritja e aktakuzës kërkon plotësimin e standardit të dyshimit të bazuar mirë, që nënkupton posedimin e provave të pranueshme që bindin një vëzhgues objektiv se veprimi i të akuzuarit përbën vepër penale.
Gjykata vlerësoi se është e drejtë e çdo shoqërie aksionare të nxjerrë rregullore të brendshme që përcaktojnë procedurat e menaxhimit të aseteve, dhe një veprim i tillë nuk përbën tejkalim të detyrave zyrtare. Në këtë rregullore të NPB-së, ishte paraparë që investitori të merrte vetëm fitimin nga shitja e aseteve dhe jo privatizimi i ndërmarrjes, siç pretendonte Prokuroria.
Gjykata e Apelit vuri në dukje se pretendimet e Prokurorisë për dëm material janë të pabazuara, pasi prona e kontestuar nuk është tjetërsuar dhe nuk ka prova që ajo ka kaluar në pronësi private. Shuma e pretenduar e dëmit përbëhet nga vlera e paluajtshmërisë së NPB-së dhe shpenzimet për taksën e lejes ndërtimore, që është paguar Komunës së Prishtinës në shumën 376,346.30 euro.
Gjithashtu, NPB nuk e konsideron si të dëmshme marrëveshjet me kompanitë Made Group Construction Sh.P.K., Arkos Sh.P.K. dhe Made Kos Sh.P.K., pasi përdorimi i pronës ishte për një investim të përbashkët në përfitim të vet NPB-së.
Sipas aktakuzës: më 17 maj 2024, Hoxha kishte nënshkruar kontratën me Drilon Buzukun, përfaqësues i Made Group Construction Sh.P.K., e noterizuar edhe pse pretendimi ishte se ishte e dëmshme për NPB-në. Prokuroria e ngarkonte Hoxhajn për veprën penale “Lidhje e kontratës së dëmshme” nga neni 285 par.1 dhe 2 të KPRK-së.
Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli akuzoheshin se tejkaluan kompetencat e tyre për përfitim të dobisë pasurore për personat e tretë, duke ndryshuar Statutin e NPB-së më 15 janar 2021 dhe duke miratuar kontratën që rezultoi në tjetërsimin e pronave, në vlerë totale 28.7 milionë euro. Ata akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.