Gjykata e Apelit e ka vërtetuar hudhjen e aktakuzës ndaj kryeshefit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Murat Meha dhe dy të pandehurve tjerë, Ismet Kryeziu dhe Nemanja Spasiq, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Me këtë aktvendim, Apeli e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 31 korrik 2017, e kishte hudhur poshtë aktakuzën në këtë rast.
“Gjykata e Apelit, pasi ka elaboruar provat në bazë te të cilave është ngritur aktakuza, vlerëson se në rastin konkret, gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejtë kur e ka hudhur atë, sepse në veprimet e të pandehurve, nuk konsumohen elementet e veprës penale për të cilën ngarkohen”, thuhet në komunikatë e kësaj gjykate.
Në këtë njoftim, po ashtu thuhet vepra penale e keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar kryhet vetëm kur bëhet më qellim të sjelljes se dobisë ose shkaktimit të dëmit apo shkeljes se drejtave personit tjetër, elemente këto që jo vetëm që nuk theksohen në dispozitiv të aktakuzës, por nuk i provojnë as provat në bazë te të cilave është ngritur ajo.
Më 11 nëntor të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Murat Mehës, si kryeshef i përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Ismet Kryeziut, si drejtor i Departamentit Ligjor në AKK dhe Nemanja Spasiq, si shef i Zyrës Kadastrale në Graçanicë, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Këtë vepër, ata akuzoheshin se e kishin kryer në bashkëkryerje, duke e penguar kështu të dëmtuarën SH.P.K. “Marigona Residence”, në ushtrimin e veprimtarisë së saj.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit, të dëmtuarën e kanë vënë në pozitë të pabarabartë në raport me ligjin për të drejtën e bartjes së pronësisë në regjistrin kadastral.
Po ashtu, të pandehurit, Meha dhe Kryeziu, kanë obliguar të pandehurin tjetër Spasiq, që të veprojë në bazë të një mendimi profesional, të datës 21 janar 2015, i nxjerrë ky në kundërshtim me ligjin, me ç’ rast të dëmtuarës ia kanë cenuar barazinë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike.Sipas kësaj aktakuze, të dëmtuarës, nga kjo periudhë i është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.