Apeli vërteton lirimin e Milaim Zekës nga akuza për incizim fshehurazi

Prishtinë | 25 Pri 2023 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Milaim Zeka ishte liruar nga akuza për incizim fshehurazi të të dëmtuarës B.D.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili është marrë më 18 prill 2023, thuhet se kolegji i Apelit pasi vlerësoi aktgjykimin e ankimuar, ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat do të kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar.

“Ngase dispozitivi i aktgjykimi është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as arsyet e tij, është i qartë dhe konkret”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë sa i përket vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike janë të pabazuara, kjo për faktin se sipas Apelit, gjendja faktike në këtë çështje penale është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

Tutje, në vendim thuhet se me provat e administruara gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Po ashtu, në vendim thuhet se nga arsyetimi i aktgjykimit të ankimuar rezulton se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar se nuk ishte kontestues fakti se e dëmtuara e ka thirrur në telefon të akuzuarin dhe ka kërkuar që të takohet me të, e po ashtu nuk ishte kontestuese se biseda mes tyre ishte incizuar, por kontestuese ishte se kush e ka incizuar dhe publikuar bisedën mes tyre.

“Lidhur me këtë, gjykata e shkallës së parë pas administrimit dhe vlerësimit të të gjitha provave ka arritur në përfundim se të akuzuarin duhet ta lirojë nga akuza për faktin se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, thuhet tutje në vendim.

Andaj, Apeli ka vlerësuar si të drejta dhe të ligjshme përfundimet e gjykatës së shkallës së parë përkitazi me faktet vendimtare në këtë çështje penale.

Në seancën e mbajtur më 4 prill 2023, pranë kolegjit të Gjykatës së Apelit, Prokuroria kishte kërkuar që rasti ndaj Milaim Zekës të kthehet në rigjykim, ndërsa vetë Zeka kishte kërkuar nga Apeli që të vërtetohet lirimi i tij.

Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 18 mars 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Milaim Zeka akuzohej se më 18 maj 2017, në rrugën “B”, në restorantin “Fshati” në Prishtinë, pa autorizim ka incizuar tani të dëmtuarën B.D dhe se këtë incizim ua ka shpërndarë personave të tretë.

Me këto veprime, Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzonte Milaim Zekën se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, nga neni 205, par. 2, lidhur me par 1 të KPRK-së.

Të ngjashme