Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ushtruar ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Xhavit Avdiu ishte shpallur i pafajshëm për marrje ryshfeti. Andaj ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.
Avdiu akuzohej se kishte pranuar shumën prej 20 euro nga Vehbi Cakolli, i cili kishte qenë i bashkakuzuar në këtë rast, në mënyrë që këtë të fundit ta lejonte të kalonte me kamionin me drunj, pa posedimin e fletë-përcjelljes.
Kurse, Cakolli akuzohej për dhënie ryshfeti, për të cilin është veçuar procedura dhe pas pranimit të fajësisë ishte shpallur fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë në prill të vitit 2021 e kishte liruar nga kjo akuzë pasi që kishte gjetur se i njëjti është i pafajshëm.
Pas kësaj, Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të datës 27 shtator 2021 ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.
Vendimi i siguruar nga “Betimi për Drejtësi” është marrë nga gjykatësit Burim Ademi, Tonka Berishaj dhe Bashkim Hyseni, ku thuhet se ankesa e prokurorisë është e pabazuar.
Sipas këtij vendimi, Gjykata e Apelit ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë në shkelje esenciale siç pretendon prokuroria.
Ndryshe, aktakuza e përpiluar më 24 gusht 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkonte Xhavit Avdiun për veprën penale të marrjes së ryshfetit, kurse Vehbi Cakolli për veprën penale të dhënies së ryshfetit.
Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, Vahbi Cakolli akuzohej se më 29 prill 2018, në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës, derisa ishte duke bërë transportimin e drunjve me kamion, i pa pajisur me fletë-përcjellje ishte ndaluar nga roja i pyllit, Xhavit Avdiu.
Në aktakuzë thuhet se pas ndalimit, me qëllim të shmangies së konfiskimit të drunjve dhe transportit të drunjëve, Cakolli i kishte dhënë 20 euro ryshfet Avdiut, derisa ky i fundit ishte duke kryer detyrën zyrtare.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Avdiu akuzohej se në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë si të cekur më lartë, kishte pranuar 20 euro ryshfet nga Cakolli, në mënyrë që ta lejonte këtë të fundit që të bënte transportimin e drunjve me kamion pa fletë-përcjellje.