Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e paditësit Behgjet Pacolli, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, e cila në shkurt të këtij viti ka hudhur poshtë si të pasafatshme padinë për shpifje të paditësit Behgjet Pacolli, të ushtruar kundër të paditurit Reshat Badallaj.
Përmes padisë së ushtruar më 12 mars 2021, paditësi Behgjet Pacolli, ish-president i Kosovës dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme (MPJ), po kërkonte nga i padituri Reshat Badallaj shpërblimin e dëmit në vlerë prej 100 mijë euro për shkak të shpifjes përmes rrjeteve sociale, portalit “Kosova Sot Online”, në një artikull të publikuar më 5 maj 2020.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kundër këtij aktvendimi në afat ligjor ka paraqitur ankesë paditësi Pacolli, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se kjo gjykatë pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me aktvendimin e atakuar, ka gjetur se ankesa e paditësit është e pathemeltë.
Tutje, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se kjo gjykatë ka gjetur se shkalla e parë ka vërtetuar se paditësi ka humbur afatin subjektiv për paraqitjen e padisë në bazë të dispozitave ligjore.
“Gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar se shpifja e pretenduar nga paditësi kishte ndodhur me datë 05.05.2020, kur edhe është publikuar artikulli në portalin “Kosova Sot Online” ku është shënuar edhe autori i tekstit, datë kjo kur edhe vet paditësi është vënë në dijeni, -fakt të cilin e pranon në padinë e tij. Nga arsyet e cekura, gjykata duke iu referuar fakteve vendimtare dhe atë datës së publikimit të artikullit, vënies së paditësit në dijeni (lidhur me shkrimin dhe autorin e shkrimit) dhe datës së inicimit të procedurës kontestimore me padinë e datës 12.03.2021, erdhi në përfundim se padia është parashtruar 10 muaj pas publikimit të shkrimit dhe prandaj të njëjtën e hedhi poshtë si të pasafatshme”, thuhet në vendim.
Në arsyetimin e vendimit, Apeli thekson se gjetjet e gjykatës së shkallës së parë janë të drejta dhe aktgjykimi i atakuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore.
“Gjykata e Apelit nisur nga kjo gjendje e çështjes vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë e po ashtu nuk është i përfshirë as në shkelje tjera të dispozitave të procedurës kontestimore të cilat i ka pretenduar pala ankuese me ankesë”, thuhet në vendim.
Gjithashtu sipas këtij vendimi, Apeli ka vlerësuar se me të drejtë gjykata e shkallës së parë ka ardhur në përfundim se padia është e pasafatshme dhe se hudhjen e saj e ka bazuar në dispozita ligjore.
“Qëndrimi dhe përfundimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm sepse në rastet kur paraqitja e padisë lidhet me afat, gjykata është e detyruar që fillimisht ta vlerësojë afatshmërinë e padisë. Në çdo rast pas shqyrtimit paraprak të padisë kur gjykata gjen se padia është paraqitur pas skadimit të afatit, e njëjta në kuptim të dispozitës nga neni 391 pika (t) e LPK-së, hedhet poshtë”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Po ashtu, në vendimin e Apelit thuhet se nga shkresat e lëndës është konstatuar se paditësi padinë në giykatën e shkallës së parë e ka ushtruar më 12 mars 2021, rrethanë e cila vërtetohet në bazë të vulës së pranimit të giykatës, ndërsa shpifja e pretenduar sipas padisë së ushtruar, rezulton të jetë bërë më 5 maj 2020 përmes shkrimit të bërë në portalin “Kosova Sot Online”, nga edhe rrjedh se padia është paraqitur pasi ka kaluar afati ligjor i paraparë në nenin 17, paragrafi I të Ligjit Civil nr.02/L-65 kundër Shpifjes dhe Fyerjes.
Ndryshe, përmes padisë së ushtruar më 12 mars 2021, paditësi Behgjet Pacolli po kërkonte nga i padituri Reshat Badallaj shpërblimin e dëmit në vlerë prej 100 mijë euro për shkak të shpifjes.
Në padi thuhet se paditësi Pacolli, si ish-president i Republikës së Kosovës, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, tërë aktivitetin e tij jetësor që nga lindja e deri më sot ia ka kushtuar familjes, të mirës së vendit të tij dhe çështjes kombëtare.
Sipas padisë, pa arsye dhe pa asnjë shkas, i padituri Reshat Badallaj më 5 maj 2020, përmes rrjeteve sociale, portalit “Kosova Sot Online”, ka publikuar një shkrim me titull “Reshat Badallaj-Zhuriani nuk ndalet, Behxhet Pacollin e quan gjak zi dhe kërkon të ballafaqohet në gjyq”, në të cilin ka shpifur dhe ka fyer paditësin.
Në padi, thuhet se Reshat Badallaj në shkrimin në fjalë, publikon fakte dhe deklarata të pavërteta, për të cilat ka pasur dije se janë të pavërteta, me qëllim që dëmtojë reputacionin e paditësit, familjen dhe të afërmit e tij.
Me të njëjtin publikim, thuhet se i padituri ka përdorur shprehje dhe fjalë fyese për paditësin, të cilat shprehje janë nënçmuese, degraduese dhe poshtëruese. Këto deklarata në këtë shkrim që janë shpifje dhe deklarata fyese, i ka publikuar me qëllim të përhapjes së fakteve të pavërteta dhe shprehjeve fyese përmes rrjetit social, shprehje të cilën e ka lexuar ose dëgjuar numër shumë i madh i personave tjerë.
Tutje aty thuhet se i padituri ka gënjyer në faktet e paraqitura në publikim e tij në deklaratat e të paditurit se gjoja paditësi “Behgjet Pacollit argatit të Serbise fashiste den babaden i’a hodha dorashken i pari, si burrat edhe pse me keke dilinxhi nuk kam luajtur me ashik bashke. Derdimeni i Serbise gjakatare, Behgjet Pacolli ka dy rruge… “, duke shtuar se artikulli është i mbushur me urrejtje personale pa asnjë argument, i hamendësuar, me qëllimin e vetëm që tek të tjerët që e lexojnë të krijohet përshtypja se paditësi është i lidhur me agjenda që janë në dëm të Republikës së Kosovës.
Sipas padisë, këto deklarata pa dyshim përveç që janë shpifje, fjalori i përdorur është fyes me krahasime dhe thirrje si “more qelbesire”, “argat i Serbise fashiste”, “derdimen i Serbise gjakatare”, “gjambaz”, “djali i Dedinjes dhe te Stalingradit” si dhe etiketime të ndryshme, më së miri tregojnë qëllimin e vërtetë të paditurit.
Në padi thuhet se artikulli kryekëput është gënjeshtër dhe fantazi e autorit e që nuk ka të bëjë me të vërtetën, duke mos u mjaftuar me shpifje fillon me shprehje ofenduese dhe fyese për paditësin. Shprehjet “a nuk i keni ditur të zezat e ketij spiuni serbo-rus Behgjet Pacolli kunder kombit shqiptar…” ose “kete spiun të gjaksorve dhe pushkaxhinjeve Serbian…” janë shprehje nënçmuese që qëllim kanë denigrimin dhe poshtërimin në publik të personit tjetër.
Tutje në padi thuhet se paditësi nuk e njeh fare të paditurin dhe i njëjti nuk ka asnjë raport familjar apo farefisnor me të paditurin.
Paditësi thuhet se nuk e di motivin që ka shtyrë të paditurin për një shpifje dhe fyerje të këtij niveli, ku përdoren terma si më lartë dhe se sulmet e tilla të ulëta, janë metoda linçuese dhe denigruese më qëllim të përhapjes së fakteve të pavërteta, që personin tjetër e qesin para një situate shumë të vështirë.
Në fund, thuhet se pasi që shprehjet e përdorura nga i padituri sipas ligjit nr. 02/L-65 Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe fyerjes, cilësohen si shpifje dhe fyerje (neni 3 paragraf 1 pika a. dhe b.), dhe përhapjes së tyre përmes publikimit ( neni 3, paragraf 1 pika c. ) në rrjetet sociale, paditësi Behgjet Pacolli i propozoi gjykatës që të aprovojë si të bazuar padinë dhe kërkesëpadinë e tij dhe të vërtetojë se i padituri Reshat Badallaj nga fshati Zhur, Komuna e Prizrenit ka deklaruar dhe ka publikuar fakte të pavërteta, shpifje dhe fjalë fyese në shkrimin e publikuar më 5 maj 2020 në gazetën elektronike “Kosova Sot Online “, kundër paditësit Behgjet Pacolli.
Po ashtu, përmes padisë kërkohej që të detyrohet i padituri Badallaj që në afatin prej 8 ditësh, të tërheq shkrimin e botuar dhe të obligohet që në të ardhmen të përmbahet nga çdo deklaratë për paditësin dhe personalitetin e tij. Dhe se të detyrohet se i padituri Badallaj që në emër të kompensimit të dëmit moral, paditësit Pacollit t’ia paguajë shumën në lartësi prej 100 mijë euro me kamatë ligjore 8% në vit prej dorëzimit të padisë në gjykatë, nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm.