Në Kosovë po shënohet Java kundër Korrupsionit, ndërsa nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) kanë deklaruar sot se është shënuar progres në luftimin e konfliktit të interesit, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse, në tryezën me temën “Parandalimi i konfliktit të interesit: Parakusht për besim në institucione”, e organizuar nga APK-ja u theksua se ka ende raste në rritje.
Yll Buleshkaj, drejtori i i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ka thënë se kjo agjenci ka shënuar përparime në luftimin e konfliktit të interesit, mirëpo, nuk ka mohuar as sfidat që po vazhdojnë të jenë prezentë në luftimin e kësaj dukurie.
“Së shpejti do ta lansojnë sistemin ku do të mund të raportohen në mënyrë elektronike shkeljet e ndryshme përfshirë edhe ato të konfliktit të interesit. Kemi përparime, por rastet po rriten… se pse po rriten a është ky rezultat që ka më shumë konflikt interesi apo ndoshta është një rezultat që qytetarët edhe zyrtarët publikë janë vetëdijësuar më shumë se çka është konflikti i interesit dhe tashmë raportojnë më shumë këto raste. Ne po besojmë që është e dyta”, tha ai.
Në këtë tryezë ku prezentë ishin zyrtarë për parandalimin e konfliktit të interesit nga të gjitha institucionet në vend, Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se zyrtarët për parandalimin e konfliktit të interesit janë filtri i parë që e parandalon konfliktin e interesit.
Edhe pse ka ligje që parandalojnë konfliktin e interesit, ai theksoi see ekzistojnë probleme strukturore për luftimin e kësaj dukurie.
Lirim Osmani, përfaqësues nga Policia e Kosovës tha se është sfidues aspekti i shmangies së konfliktit të interesit, pavarësisht se sipas tij ka rregulla që parandalojnë këtë dukuri.
Çmimi për Autoritetin Përgjegjës të Dalluar i është ndarë zyrtares për parandalimin e korrupsionit në Administratën Tatimore të Kosovës, Albulena Stublla-Krasniqi.