Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritro Arifi, ka komentuar aplikimin e Ukrainës që t’i bashkohet BE-së.
Ai tha se ky është një vendim politik, ku vetë Bashkimi Evropian po e fiton edhe një betejë karshi Rusisë.
Arifi tha se pranimi i Ukrainës në BE pritet të bëhet në mënyrë të përshpejtuar, pasi sipas tij, edhe vetë BE e ka kuptuar që procedurat e stërzgjatura nuk janë efektive.
“Besoj se kësaj radhe do të ketë anashkalim total të procedurave të BE-së, e këtu duhet që qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme që të paktën të kërkojnë që në këtë paketë të hiqet liberalizimi i vizave dhe të njihet Kosova nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, duke e shfrytëzuar këtë momentum jashtëzakonisht të rëndësishëm politik”, ka thënë Arifi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se ky do të jetë një rast shumë i veçantë, por sipas tij, duhet kuptuar rrethanat në të cilat bëhet politikbërja.
“Pra, rrethanat që neve na është kërkuar, është kërkuar në sistem ndërkombëtar të rregulluar dhe është pritur një moment të duhur që Kosova dhe Serbia t’i relaksojnë raportet”.
“Por, rasti i Ukrainës është tjetër, sepse mos të harrojmë që jemi në prag të luftës së tretë botërore dhe kjo është minimumi çfarë mund të bëhet, pra pranimi i ftesës”, ka thënë Arifi,.
Kujtojmë se gjatë orëve të mbrëmjes, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se ka aplikuar që ky shtet të pranohet në BE.